Mali i Zi, thellohet kriza politike për shkak të Gjykatës Kushtetuese
Partitë opozitare në Mal të Zi nuk lejuan mbajtjen e seancës së parlamentit të premten, duke penguar interpelancën e Kryeministrit Milojko Spajiç.
Opozita po kërkon anulimin e vendimit që lidhet me nxjerrjen në pension të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, të cilin ajo e konsideron si “puç kushtetues”.
Për vendimin e parlamentit malazez për ndërprerjen e mandatit të gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese ka shprehur shqetësim edhe Bashkimi Evropian.
“I bëjmë thirrje të gjitha institucioneve që të respektojnë sundimin e ligjit dhe të respektojnë Kushtetutën,” tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier. “Kjo është vendimtare për rrugën e Malit të Zi në BE”.
Deputetët e opozitës akuzojnë Komisionin Kushtetues dhe shumicën parlamentare se kanë shkaktuar një “krizë të thellë institucionale dhe kushtetuese” për shkak të vendimit për nxjerrjen në pension të një gjykatësi dhe përpjekjeve për të larguar dy gjykatës të tjerë të Gjykatës Kushtetuese.
Pas daljes nga salla e parlamentit, deputetët e opozitës kanë rrethuar Kryeministrin Spajiç, duke e penguar atë që t’iu drejtohet gazetarëve.
Të premten, përfaqësuesit e opozitës u takuan me Presidentin Jakov Milatoviç, i cili u bëri jehonë deklaratave të opozitës, duke fajësuar Komisionin Kushtetues për krizën në Mal të Zi.
“Kriza kushtetuese lindi si rezultat i veprimeve të Komisionit Kushtetues, i cili mori juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese dhe në këtë mënyrë hyri në zonën e veprimeve të kundërligjshme dhe antikushtetuese”, deklaroi Presidenti Milatoviç pas takimit.
Analistët dhe organizata të shoqërisë civile në Mal të Zi paralajmëruan për një krizë të re kushtetuese pasi Kryetari i Parlamentit malazez Andrija Mandiç, mbështetës i politikave pro-ruse dhe pro-serbe, duke iu referuar konkluzioneve të Komisionit Kushtetues, tha të mërkurën se gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese u kanë pushuar mandatet.
Përplasjet politike në Mal të Zi vijnë pas Konferencës Ndërqeveritare të mbajtur në Bruksel, ku Mali i Zi mbylli tre kapituj. Që nga hapja e negociatave për anëtarësim në BE në vitin 2012 e deri më tani, Mali i Zi ka mbyllur gjithsej gjashtë kapituj.
Ndonëse Mali i Zi ishte i gatshëm të mbyllte kapitullin “Politika e Jashtme, Siguria dhe Mbrojtja”, Kroacia nuk dha pëlqimin e saj për shkak të “çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës së fundit”./VOA