
Parku Kombëtar i Lurës po konfirmohet gjithnjë e më shumë si një nga destinacionet më të veçanta natyrore në Shqipëri, duke tërhequr vëmendjen e turistëve vendas, të huaj dhe së fundmi edhe të mediave ndërkombëtare. Me liqenet e tij akullnajore, pyjet e dendura dhe peizazhet mahnitëse që ndryshojnë nga stina në stinë, Lura ofron një përvojë të rrallë gjithëvjetore, por dimri mbetet periudha kur zona shndërrohet në një panoramë të vërtetë përrallore.
Nën petkun e bardhë të dëborës, liqenet ngrijnë duke krijuar skena magjike, ndërsa kodrat dhe majat përreth reflektojnë qetësinë që vetëm natyra e paprekur mund të japë. Për këtë arsye, Lura është cilësuar shpesh si “përralla e dimrit” e Dibrës, një vend ku vizitorët mund të shijojnë qetësinë, ajrin e pastër dhe bukurinë e pazhbëshme të Alpeve shqiptare.
Së fundmi, edhe Travel and Tour World, një ndër portalet e njohura ndërkombëtare të turizmit, i ka kushtuar vëmendje këtij parku. Media e huaj thekson se Lura po konsolidohet si një destinacion që ofron përvoja unike gjatë gjithë vitit, duke e renditur ndër zonat më premtuese për turizmin natyror dhe ekoturizmin në Shqipëri. Në raportimin e tyre, ata nënvizojnë se peizazhet e Lurës, veçanërisht në dimër, janë ndër më magjiket në Ballkan dhe meriton të zbulohet nga turistët e huaj.
Interesi i lartë i publikut dhe shtimi i vëmendjes ndërkombëtare po e kthejnë Parkun Kombëtar të Lurës në një nga kartat më të forta turistike të vendit. Me liqene të shumta akullnajore, shtigje malore dhe një biodiversitet të pasur, zona mbetet një perlë natyrore që vazhdon të magjepsë vizitorët në çdo stinë.
Start News