
Në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të mbeten të larta, në kampin Ashraf 3 në Manzë kanë nisur procedurat për pajisjen me leje qëndrimi të muxhahedinëve iranianë që jetojnë në këtë kompleks. Prej disa ditësh, gjashtë punonjës të Identitekut ndodhen brenda kampit, ku po kryejnë aplikimet për dokumentacionet përkatëse.
Sipas planit të masave të sigurisë, është vendosur që të gjitha procedurat të realizohen brenda ambienteve të kampit, duke shmangur paraqitjen e muxhahedinëve në zyrat shtetërore. Burime nga siguria e kampit konfirmojnë se procesi po kryhet nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit në bashkëpunim me Identitekun.
Megjithatë, nuk është bërë e qartë pse këto procedura po zhvillohen me ritme të përshpejtuara, ndërsa situata në Lindjen e Mesme mbetet e tensionuar. Në kampin Ashraf 3 aktualisht jetojnë mbi 2 mijë e 500 muxhahedinë iranianë, pjesë e organizatës së njohur si opozita iraniane në emigrim. Ky grupim u formua në vitin 1965 dhe për dekada ka qenë në konflikt me regjimin në Teheran.
Pas revolucionit islamik në Iran, organizata u largua nga vendi dhe për shumë vite u vendos në Irak. Pas ndërhyrjes së SHBA-së në Irak dhe ndryshimeve politike në rajon, anëtarët e saj u zhvendosën drejt vendeve perëndimore.
Shqipëria pranoi fillimisht një grup muxhahedinësh në vitin 2013, pas një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara. Procesi u zgjerua më pas me ardhjen e disa mijëra të tjerëve, duke çuar në ndërtimin e kampit Ashraf 3 në zonën e Manzës. Vendimi u cilësua nga autoritetet shqiptare si një akt humanitar, ndërsa kampi sot funksionon si një strukturë e organizuar ku jetojnë mijëra anëtarë të opozitës iraniane.
Që prej 2022-shit, Shqipëria ndërpreu zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike me Teheranin, pas përfshirjes së Iranit në sulmin kibernetik ndaj sistemeve tona shtetërore.
Start News
