Letra emocionuese nga babai, përlotet Tayna
Në një intervistë për “Prive”, Tayna është përfshirë në një moment shumë emocional, kur i ati i dërgoi një letër surprizë, duke e përshëndetur atë thjesht si “Tina” dhe duke kujtuar momentet e fëmijërisë së saj. Ai tregoi se, që nga fëmijëria, ka qenë gjithmonë pranë saj, duke mos ia lëshuar dorën në asnjë çast, derisa një ditë, ishte Tayna ajo që nuk ia lëshoi dorën atij.
Ai rrëfeu sa e vështirë kishte qenë për të si prind të shihte vajzën e tij të kalonte periudha të vështira dhe sfiduese, por gjithashtu theksoi se ndihej jashtëzakonisht krenar për gjithçka që ka arritur Tayna deri tani.
Ky moment i veçantë është hera e parë që Tayna tregon anën e saj të ndjeshme në një dalje televizive, duke e lënë pas dorë të dukshme emocionin dhe dashurinë për familjen e saj.
Ti e vogla ime e di se jeta më ndryshoi në një mënyrë të hidhur… atë shkurt të vitit 2023. Një stuhi e egër ngjarjesh më la të rrëzuar. Pësova një sulm që më mori gjithçka, gëzimin, forcën, kuptimin e jetës. Më fal se po të shkruaj fjalë shpirti, pa dashur të të mërzis dhe besoj që janë gjëra që s’i kam thënë kurrë. Por afër jush ndihesha sikur çdo gjë po shndërrohej në një zbrazëti të ftohtë dhe të errët, jetoja vetëm për të marrë frymë, vuaja në heshtje dhe luftoja me shpirtin tim të thyer, por ti, ti gjithmonë aty e vogla ime. Edhe kur unë nuk mund të flisja, edhe kur unë isha veç një hije e vetes, ti luftoje për mua. Të shihja si përpiqeshe me gjithë shpirt të kthehesha përsëri në jetë dhe kjo më copëtonte. Të shihja të lodhur, të thyer si një trëndafil i bukur që dikur ndriçonte por që kishte humbur në peshën e zhgënjimeve. Të shihja të lënduar nga ata që ti u besoje dhe unë nuk mund të flisja, nuk mund të të mbroja. Ndihesha si një prind i dështuar, një njeri që nuk ishte aty për fëmijën e tij, për ty. Ndonjëherë ndihesha si gur i ftohtë pa ndjenja, si njeri që kishte humbur gjithçka, por në mes të kësaj errësire ti ishe drita ime, lulja ime e bukur në një kopsht të rrënuar. Ti nuk më le të dorëzohem, ti më riktheve jetën, më dhe një arsye për të ecur përpara. Çdo ditë që kalon, çdo fjalë që shkruaj më kujton mrekullinë që je ti, vajza ime e vetme që të kam sa shtatë djem. Sot, Tinë, unë shoh se si ti ke rilindur, ti je më e fortë, më e guximshme, më krenare. Epoka e Taynës është këtu dhe është epoka jote, veç e jotja.