Aktualitet dhe Lajme

LDK “vijë të kuqe” Kurtit dhe kërkesa të “vështira” për PDK-AAK

Share

Lidhja Demokratike e Kosovës ka hedhur poshtë të gjitha zërat për një koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje, që do të ishte një përsëritje e aleancës së vitit 2020 në Qeverinë më jetëshkurtër të Kosovës, atë Kurti 1.

Kjo u bë e qartë mbrëmjen e së hënës nga vetë kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, pasi mblodhi kryesinë në një takim që zgjati rreth pesë orë në selinë e saj.

“Nuk kemi pasur asnjë takim me asnjë prej partive politike në Kosovë, sidomos nuk kemi pasur takim me partinë në pushtet. LDK e ka të qartë pozicionin e vet karshi Lëvizjes Vetëvendosje nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për një bashkëpunim me ta”, tha Abdixhiku.

Ndërsa edhe pse bllokut opozitar nuk ia mbylli derën plotësisht, Abdixhiku përmes kushteve të vëna e bëri gati të pamundur mundësinë e një qeverisje me Partinë Demokratike dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, shkruan A2 CNN.

Fillimisht ai përmendi pozitën e kryeministrit ndërsa tha se është i interesuar për një mazhorancë që do të mund të zgjidhte edhe presidentin vitin e ardhshëm, gjë që numrat aktualë nuk ia mundësojnë këtë gjë opozitës ta bëjë pa bashkëpunimin me Vetëvendosjen.

“LDK nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie pa pozitën e kryeministrit, ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë tani dhe po ashtu kemi thënë se LDK nuk synon dhe nuk do të punojë për një qeveri afatshkurtër, pra pa zgjidhjen e çështjes bazike të presidentit që përcakton edhe zgjedhjet e ardhshme nacionale të Kosovë, LDK nuk beson që do të ketë stabilitet qeveritar”.

Në lidhje me akuzat e Lëvizjes Vetëvendosje se LDK ka manipuluar me votat e ardhura nga diaspora përmes postës duke kërkuar që procesi të kthehet në pikën zero, Abdixhiku tha se kjo vjen nga zhgënjimi i partisë së Kurtit që ka pretenduar më shumë mandate.

“Nuk mund të pretendojmë rrënim të procesit zgjedhor vetëm se është rritur LDK, nuk mund të pretendojmë zhvlerësim të votës për një kandidat të mërgatës, vetëm pse partia në pushtet nuk i ka marrë 51 mandate siç ka pretenduar”.

Abdixhiku është pyetur edhe në lidhje me pakënaqësitë nga kandidatët për deputetë të LDK-së që kanë kërkuar rinumërim, pasi në Vushtri është konfirmuar se ka pasur manipulim të votave.

Ai tha se iu ka kërkuar të gjithë kandidatëve që çdo vërejtje t’i dërgojnë në institucionet përkatëse në mënyrë që të mbrohet vota e qytetarit. /A2 Televizion




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button