Kurti dhe ambasadori i Finlandës flasin për formimin e institutcioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, ku janë diskutuar një sërë çështjesh me interes të përbashkët.
Sipas njoftimit për media u bë e ditur se gjatë këtij takimi, u theksuan marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Finlandës, si dhe bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet ambasadës finlandeze dhe qeverisë kosovare.
Temë tjetër ishin edhe zgjedhjet e 9 shkurtit dhe hapat drejt formimit të institucioneve pas certifikimit të rezultateve zgjedhore.
“Marrëdhëniet bilaterale Kosovë-Finlandë, bashkëpunimi ndërmjet ambasadës finlandeze dhe qeverisë, zgjedhjet e 9 shkurtit dhe hapat drejt formimit të institucioneve pas certifikimit të rezultateve, ishin temat qendrore të bashkëbisedimit”, u tha në njoftim.
Përveç kësaj, u diskutua edhe për situatën e sigurisë në rajon dhe në kontinent, veçanërisht në kontekstin e luftës në Ukrainë, e cila ka mbushur tri vjet që kur ka filluar agresioni ushtarak rus.
Në fund, Kurti falënderoi ambasadorin Nissinen për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm të Finlandës ndaj Kosovës, duke e vlerësuar atë si një partner të rëndësishëm në avancimin e proceseve demokratike dhe integruese të Kosovës.