Kujdes me zemrën në verë/ Pini ujë, shmangni diellin. Rriten rastet me probleme kardiake në QSUT

Mjekët paralajmërojnë se vala e të nxehtit po rrit rastet me probleme në zemër, veçanërisht tek personat me stil jete të pashëndetshëm.
Ata këshillojnë shmangien e diellit në orët e pikut dhe hidratimin e rregullt gjatë ditës.
Në ditët me temperatura të larta, mos neglizhoni simptomat që mund të lidhen me zemrën, paralajmërojnë mjekët, pasi i nxehti ndikon ndjeshëm në shëndetin kardiovaskular.
Mjekja Daniela Teferiçi nga Shërbimi i Kardiologjisë në QSUT thotë se vala e të nxehtit ka sjellë një rritje të rasteve me probleme në zemër që kërkojnë ndihmë mjekësore.
‘’Problemet kardiake persistojnë gjatë gjithë vitit. Sidomos në lëvizjet ekstreme të temperaturave’’.
Luhatjet e tensionit janë një tjetër shqetësim i shpeshtë në këtë periudhë dhe nuk duhen injoruar.
Personat që përdorin drogë, alkool apo ndjekin një stil jete jo të shëndetshëm janë më të rrezikuar nga komplikacionet kardiake.
Mjekja kardiologe këshillon të shmanget ekspozimi në diell gjatë orëve të pikut, të vishet lehtë, të përdoren kapele dhe të konsumohet ujë rregullisht gjatë gjithë ditës.