
Ministria e Arsimit ka bërë publike ndryshimet e reja ligjore që prekin drejtpërdrejt procedurat e punësimit të mësuesve në arsimin parauniversitar. Përmes një udhëzimi të ri, janë saktësuar rregullat për administrimin e portalit “Mësues për Shqipërinë”, duke vendosur kufizime të reja gjeografike për kandidatët që aspirojnë të futen në sistemin arsimor.
Aplikimet, të lidhura me vendbanimin
Ndryshimi më i rëndësishëm dhe me ndikim të menjëhershëm për aplikantët lidhet me përzgjedhjen e vendeve të punës. Sipas udhëzimit të ri, kandidatët për mësues do të mund të aplikojnë vetëm në Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP) ku kanë vendbanimin e tyre të përhershëm.
Brenda këtij rajoni, aplikanti ka të drejtë të përzgjedhë deri në tri Zyra Vendore të Arsimit Parauniversitar (ZVAP) ku dëshiron të punësohet. Kjo masë kufizon mundësinë e mëparshme të aplikimit në qarqe apo rajone të tjera jashtë vendbanimit. Për t’u përshtatur me këtë rregull, udhëzimi saktëson se kandidatët e të gjitha profileve do të trajtohen “brenda të njëjtit DRAP”.
Ndryshime në strukturën e Ministrisë dhe misionin e Portalit
Një tjetër detaj i rëndësishëm që pasqyrohet në këtë dokument zyrtar është ndryshimi i emërtesës së institucionit qendror. Togfjalëshi “Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS)” zëvendësohet në të gjithë bazën ligjore me “Ministria e Arsimit (MA)”, duke reflektuar ndarjen e sportit nga ky dikaster.
Paralelisht, është ripërcaktuar edhe misioni i vetë platformës së punësimit. Portali “Mësues për Shqipërinë” tashmë përkufizohet zyrtarisht si një instrument i krijuar për punësimin e mësuesve “bazuar në meritë, transparencë, shanse të barabarta dhe në planifikimin me efikasitet të burimeve njerëzore”.
Ndryshimet e firmosura me delegim nga zëvendësministrja e Arsimit, Orjana Osmani, kanë hyrë në fuqi dhe ngarkojnë për zbatim të gjitha institucionet arsimore rajonale dhe vendore në vend, si dhe vetë shkollat publike.
Start News