
Pas dy vitesh përjashtim, Konferenca e Sigurisë në Mynih (MSC) ka vendosur të ftojë deputetët e partisë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) në takimin e vitit 2026. Ky vendim vjen pas kritikave të ashpra të zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance.
Për dy vitet e fundit, AfD ishte lënë jashtë këtij takimi të rëndësishëm ndërkombëtar, ku mblidhen krerët e shteteve dhe zyrtarët më të lartë të mbrojtjes. Megjithatë, kthesa ndodhi pasi JD Vance akuzoi Gjermaninë për mbytjen të lirisë së fjalës duke anashkaluar një parti që ka mbështetjen e miliona qytetarëve.
Vance madje u takua me drejtuesen e AfD-së, Alice Weidel, pak përpara zgjedhjeve të fundit në Gjermani, duke dhënë një mesazh të qartë mbështetjeje nga administrata e re amerikane.
Jo të gjithë janë dakord me këtë ftesë. Kritikët dhe disa parti tradicionale në Gjermani paralajmërojnë se prania e AfD-së është një rrezik.
Disa zyrtarë gjermanë thonë se anëtarët e AfD-së kanë kontakte të ngushta me Moskën dhe Pekinin, gjë që mund të çojë në rrjedhje të informacioneve sekrete.
Analistët mendojnë se ky është një hap drejt pranimit të AfD-së si një parti “normale”, pavarësisht se shërbimet inteligjente gjermane e kanë klasifikuar si një grup ekstremist.
Organizatorët sqaruan se ftesa vlen për pjesën kryesore të konferencës, por jo për takimet “pas dyerve të mbyllura” ku diskutohen çështje shumë sekrete. Ideja është që t’u hiqet mundësia që ata të viktimizohen sikur po u mbyllet goja.
Ky lajm vjen në një kohë kur AfD po rritet ndjeshëm në sondazhe dhe është bërë forca kryesore opozitare në Gjermani. Ndërsa partitë e tjera refuzojnë të bashkëpunojnë me ta, ftesa në një forum kaq prestigjioz ndërkombëtar tregon se “muri” që izolonte ekstremistët po fillon të plasaritet.
starnews.al
