
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se zjarrfikësit do të përfshihen në formulën e rritjes së pagave të Forcave të Armatosura.
Në aktivitetin për kapitullin e ri të mbrojtjes civile nëpërmjet transformimit të Forcës zjarrfikëse dhe inovacionit në Farkë, ku mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu dhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, Rama u shpreh se, “zjarrfikësit do të kalojnë në një nivel tërësisht tjetër vëmendjeje, trajtimi dhe mbështetjeje”.
Rama u shpreh se, “zjarrfikësit do të përfshihen në formulën e rritjes së pagave të Forcave të Armatosura, të cilat sot janë dëshmitare të një rritjeje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme të pagave, me synimin që në Shqipërinë 2030 ne të kemi një Forcë të Armatosur të republikës së Shqipërisë në mesataren e pagave të NATO-s”.
Sot, vijoi kreu i qeverisë, “kemi Forcat e Armatosura më të mirëpaguara të rajonit, ndërkohë që kur e kemi nisur këtë proces kishim Forcat e Armatosura më të keqpaguara të kontinentit tonë”.
“Në këtë formulë do të fusim edhe zjarrfikësit, për të cilët do të bëjmë një rritje të vazhdueshme të pagës”, tha Rama.
“Është shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se, për të gjithë është shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme edhe për punonjësit e policisë, por theksoi ai, “e vërteta është që ndaj zjarrfikësve kemi një borxh që nuk mund ta lëmë të thellohet, pasi ndërkohë që ata përballen me një sfidë kolosale, gjithmonë e më të madhe çdo stinë vere, pagat e tyre nuk i përgjigjen lartësisë së kësaj sfide”.
Rama u shpreh se nuk është vetëm çështje pagash, por shtoi ai, “është një plan i tërë për modernizimin e mëtejshëm dhe për rritjen e kapaciteteve të gjithë trupës tonë të zjarrfikësve”.
Kryeministri Edi Rama prezantoi sot kapitullin e ri të mbrojtjes civile nëpërmjet transformimit të Forcës zjarrfikëse dhe inovacionit.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u ndal tek dëmshpërblimet e qytetarëve për të prekurit nga zjarret gjatë verës që lam pas, për të cilët tha se do të dëmshpërblehen qindarkë për qindarkë.
Kreu i qeverisë tha se “angazhimi moral, por edhe ligjor lidhur me banesat dhe krerët e humbur të bagëtive do të mbahet pikë për pikë”.
“Tanimë është inventari i plotë dhe të gjithë ata të cilët kanë humbur banesat apo krerë bagëtish duhet të jenë të qetë për faktin që me kalimin e aktit normativ të qeverisë së shpejti do të dëmshpërblehen qindarkë për qindarkë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi gjithashtu se “është e rëndësishme që të gjithë të fillojnë dhe të mendojnë për të marrë masa për tu përfshirë në skemën e sigurimit të shtëpive nga fatkeqësitë natyrore gjë që do ta sanksionojmë edhe në ligj”.
“Nuk kemi një ligj të tillë dhe ka ardhur koha t’i bashkohemi të gjitha vendeve duke i dhënë mundësi të gjithëve që për një kontribut modest të mund të jenë të siguruar nga fatkeqësitë. Këtu nuk është fjala vetëm për të shtëpisë pasi siç e dini mirë që tek shtëpitë si kemi lënë askujt gjë mangët, por është fjala dhe për sipërmarrjet, njësitë e biznesit, të cilat duhet të sigurohen dhe nga përmbytjet pasi koha në të cilën jetojmë, është një kohë ku ndryshimet e klimës po sjellin gjithnjë e më shumë pranë pragut të shtëpisë sfidat më të mëdha të fatkeqësive natyrore dhe Emergjencave Civile, ku janë përmbytjet dhe zjarret.
Start News
