Kryediplomati grek optimist për lidhjet me Turqinë, Gerapetritis: Për herë të parë kemi një dialog të strukturuar mirë

Ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, ka thënë se mbetet optimist për marrëdhëniet dypalëshe me Turqinë, duke përmendur komunikimin e përmirësuar dhe të strukturuar midis dy aleatëve të NATO-s.
“Për herë të parë, ndiej se kemi një dialog shumë të strukturuar mirë. Të dyja palët po punojnë të organizuara për të krijuar një axhendë pozitive”, i tha ai të përditshmes Milliyet në një intervistë të botuar më 3 maj.
Komentet e tij vijnë ndërsa Turqia dhe Greqia vazhdojnë përpjekjet për të ulur tensionet pas nënshkrimit të Deklaratës së Athinës në vitin 2023. Marrëveshja nisi një proces për të lehtësuar mosmarrëveshjet e shumta midis fqinjëve.
“Struktura më e fortë e komunikimit që u krijua, krahasuar me të kaluarën më bën më optimist për të ardhmen”, tha ai. “Ne kemi krijuar komunikim të ndërsjellë, të drejtpërdrejtë dhe shumështresor”.
Kryediplomati grek tha se mban kontakte të rregullta me homologun e tij turk, Ministrin e Jashtëm Hakan Fidan, dhe vuri në dukje se ministra të tjerë nga të dyja palët janë gjithashtu të angazhuar në bisedime të drejtpërdrejta.
“Ajo që kemi arritur në dy vitet e fundit është shumë e rëndësishme. E vlerësoj shumë. Është e rëndësishme të jemi në gjendje të komunikojmë në një nivel besimi të ndërsjellë”, tha ai.
“Mendoj se kemi bërë përparim të mirë në një periudhë të vështirë për shkak të konflikteve në arenën ndërkombëtare dhe në kontinentin evropian.”
Gerapetritis tha se, megjithatë, ende nuk është vendosur dialog mbi çështjen e diskutueshme të delimitimit të juridiksionit detar – një pikë kyçe fërkimi.
“Kjo është padyshim një çështje e ndjeshme për arritjen e paqes dhe prosperitetit afatgjatë në rajonin tonë”, tha ai.
Gerapetritis tha se planifikon të takohet përsëri me Fidanin në margjinat e një samiti të NATO-s në qytetin jugor turk të Antalyas më 14-15 maj. Ai shtoi se po bëhen përpjekje për të koordinuar një takim të ri midis Presidentit Rexhep Tajip Erdogan dhe Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.