Krimet zgjedhore/ SPAK: Kemi nisur hetimet për 16 çështje penale

Prokuroria e Posaçme (SPAK), po heton 16 çështje penale për zgjedhjet e 11 majit, 4 prej tyre të nisura me iniciativë të prokurorëve.
Për Euronews Albania, SPAK bën me dije se janë pranuar gjithashtu 19 kallëzime nga qytetarët, përmes platformës “Denonco krimin zgjedhor”.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka hapur 16 procedime penale që lidhen me zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në një përgjigje zyrtare për Euronews Albania, SPAK konfirmon se nga të gjitha materialet kallëzuese të dorëzuara pranë saj, janë regjistruar gjithsej 16 çështje penale, të lidhura me procesin zgjedhor.
Nga këto, 4 procedime janë regjistruar kryesisht, me nismë të vetë prokurorëve. Kjo tregon se SPAK ka qenë i vëmendshëm edhe ndaj deklaratave publike, shkrimeve mediatike, si dhe informacioneve nga burime të hapura.
Në lidhje me denoncimet online, në platformën zyrtare “Denonco krimin zgjedhor” të SPAK, janë depozituar deri tani 19 kallëzime nga qytetarët.
Asnjë prej këtyre denoncimeve nuk është kthyer në procedim penal nga SPAK, por ato janë transferuar për kompetencë në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, ose janë dërguar për verifikime të mëtejshme në Policinë e Shtetit.
SPAK është kompetent për një listë të kufizuar veprash penale që lidhen me zgjedhjet, si korrupsioni aktiv dhe pasiv në zgjedhje, ose kur vepra penale është kryer nga zyrtarë të lartë, apo në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.