
Fermerët dhe agrobizneset tashmë mund të përfitojnë nga një skemë e re financimi me interes vetëm 2% dhe garanci shtetërore deri në 70% të kolateralit.
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë për Zhvillimin Rural, Ardita Kuçi, tha se kjo kredi synon të mbështesë çdo fermer në ngritjen e një agrobiznesi të qëndrueshëm.
“Kanë mbetur pothuajse tre javë kohë nga mbyllja e aplikimeve për kredinë e butë me garanci sovrane, pranë bankave të nivelit të dytë dhe kemi marrë një sërë pyetjesh nga fermerët e interesuar për këtë instrument shumë të rëndësishëm financiar që ju vjen në ndihmë agrobizneseve, fermerëve, në kushte të tyre të veprimtarisë. Kushtet kryesorë të kredisë janë një normë interesi me 2 për qind, mbulim kolateral me garanci sovrani 79 për qind, afat shlyerje 3-5 vite si dhe vlerat maksimale e kredisë deri në 25 milion lekë për subjekt për fermer”, tha Kuçi.
Ajo theksoi se skema përfshin kritere të qarta dhe transparente që duhet të plotësohen gjatë aplikimit. Kuçi shtoi se fermerët që janë pjesë e Skemës Kombëtare mund të përfitojnë gjithashtu deri në 50% grant shtesë. Kjo paketë financiare pritet të nxisë zhvillimin e bujqësisë, agroturizmit dhe produkteve vendase.
“Po, patjetër që mund të përfitoni për sa kohë përmbushni kriteret e bankës dhe kredia e re përdoret për investime për bujqësi”, nënvizoi drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë për Zhvillimin Rural.
Aplikimet janë të hapura deri më 20 nëntor 2025 pranë bankave të Nivelit të Dytë. Kredia e Butë me garanci sovrane shihet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të ekonomisë rurale dhe rritjes së prodhimit vendas. RTSH
Start News
