Aktualitet dhe Lajme

Konflikti Izrael – Iran, Benjamin Netanyahu: Synojmë eleminimin e liderit suprem Ali Khamenei

Share

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar për ABC Neës se nuk e përjashton mundësinë e eleminimit të udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, teksa shton se ky veprim do t’i jepte fund luftës së vazhdueshme në Lindjen e Mesme.

I pyetur nga gazetarët mbi qëndrimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nëse ky i fundit nuk e ka përkrahur eleminimin e Ali Khamenei-t pasi kjo vetëm do të sillte përkeqësim të marrëdhënieve mes palëve, Netanyahu u përgjigj se “Kjo nuk do ta përshkallëzojë konfliktin, por vetëm do t’i japë fund luftës”.

“Kemi pasur gjysmë shekulli konflikt të përhapur nga ky regjim që terrorizon të gjithë në Lindjen e Mesme; ka bombarduar fushat e naftës Aramco në Arabinë Saudite; po përhap terrorizëm, përmbysje dhe sabotim kudo”, tha Netanyahu. “‘Lufta e përjetshme’ është ajo që dëshiron Irani dhe ata po na çojnë në prag të luftës bërthamore. Në fakt, ajo që po bën Izraeli është parandalimi i kësaj, dhënia fund e këtij agresioni dhe ne mund ta bëjmë këtë vetëm duke u përballur me forcat e së keqes.”

Gjithashtu kryeministri izraelit është shprehur se Izraeli nuk do të ndalet dhe se ka shënjestruar shkencëtarët bërthamorë të Iranit. “Në thelb është ekipi bërthamor i Hitlerit.”

Netanyahu tha se është në interes të Amerikës të mbështesë Izraelin ndërsa ky i fundit kërkon të eliminojë programin bërthamor të Iranit.

“Sot është Tel Avivi. Nesër është Nju Jorku. Dëgjo, e kuptoj ‘Amerika e Para’. Nuk e kuptoj ‘Amerika e Vdekur’. Kjo është ajo që duan këta njerëz. Ata brohorasin ‘Vdekje Amerikës’. Pra, ne po bëjmë diçka që është në shërbim të njerëzimit, të njerëzimit, dhe është një betejë e së mirës kundër së keqes. Amerika qëndron, duhet dhe qëndron me të mirën. Kjo është ajo që po bën Presidenti Trump, dhe unë e vlerësoj thellësisht mbështetjen e tij”, u shpreh Netanyahu.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button