Konfirmohen dy rastet e para të lisë së majmunëve në Maqedoninë e Veriut

Instituti i Shëndetit Publik i Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar këtë të premte dy rastet e para të lisë së majmunëve në vend. Të dy pacientët janë referuar fillimisht nga Klinika e Sëmundjeve të Lëkurës si raste të dyshuara dhe pas analizave laboratorike me tre metoda të ndryshme, është konfirmuar prania e virusit.
Sipas ISHP-së, është aktivizuar menjëherë një plan reagimi ku janë njoftuar të gjitha institucionet përkatëse, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Klinikat përkatëse. Epidemiologët kanë nisur një anketë të hollësishme me pacientët për të identifikuar burimin e infeksionit dhe për të gjurmuar kontaktet e tyre.
Pacientët po ndiqen nga afër nga specialistët dhe janë nën trajtim në Klinikën e Sëmundjeve Infektive.
Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje për qetësi, duke siguruar se janë marrë të gjitha masat sipas protokolleve ndërkombëtare.