KLSH: Shkelje të shumta në punësimet e Bashkisë Bulqizë, mungon planifikimi dhe dokumentacioni

Share

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit gjen se Bashkia Bulqizë ka probleme të shumta në menaxhimin financiar dhe në funksionimin e kontrollit të brendshëm, duke e ekspozuar institucionin ndaj gabimeve, parregullsive dhe riskut për keqmenaxhim të fondeve publike. Këto mangësi nuk janë thjesht teknike, por lidhen drejtpërdrejt me mënyrën se si planifikohen, zbatohen dhe monitorohen proceset financiare dhe administrative.

Sipas raportit të auditimit për vitin 2024, bashkia nuk ka ngritur mekanizma funksionalë për identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve, përfshirë edhe rrezikun e mashtrimit dhe abuzimit. Në këtë kontekst, KLSH thekson se: “Njësia nuk ka hartuar procedura të dokumentuara për raportimin e shkeljeve etike, rasteve të dyshuara për korrupsion dhe nuk ka kryer vlerësim të riskut për mashtrim.”

Mungesa e këtyre mekanizmave do të thotë se administrata vepron pa filtra parandalues, duke reaguar vetëm pasi problemet janë shfaqur, dhe jo duke i parandaluar ato në fazë të hershme.

Një tjetër problem serioz lidhet me mungesën e gjurmës së auditimit dhe dokumentimit të proceseve, çka e bën të vështirë ndjekjen e përgjegjësive institucionale. Raporti evidenton se bashkia nuk ka dokumentuar rrjedhën e vendimmarrjes financiare, duke cenuar transparencën dhe llogaridhënien.

Gjithashtu, auditimi konstaton mangësi në sigurinë e të dhënave financiare, pasi bashkia nuk disponon sisteme funksionale për ruajtjen dhe rikuperimin e informacionit. Në raport thuhet se: “Nuk janë hartuar dhe zbatuar procedura për ‘backup’ dhe rikuperimin e të dhënave elektronike, duke rrezikuar humbjen e informacionit financiar dhe administrativ.”

Këto dobësi ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e pasqyrave financiare, në saktësinë e raportimit dhe në besueshmërinë e të dhënave që i paraqiten Këshillit Bashkiak, institucioneve mbikëqyrëse dhe publikut.

Probleme në organizimin dhe funksionimin e auditit të brendshëm: kontroll formal, jo efektiv

Raporti i KLSH evidenton se auditi i brendshëm në Bashkinë Bulqizë nuk funksionon si mekanizëm i pavarur dhe efektiv mbikëqyrjeje, por mbetet kryesisht formal, me ndikim të kufizuar në përmirësimin e performacës financiare.

Një nga gjetjet kryesore është fakti se bashkia nuk ka ngritur Komitetin e Auditimit, një strukturë e detyrueshme që garanton mbikëqyrjen dhe pavarësinë e funksionit të auditit të brendshëm. Në raport thuhet shprehimisht se: “Në Bashkinë Bulqizë nuk është ngritur Komiteti i Auditimit, në kundërshtim me kërkesat ligjore për funksionimin e auditit të brendshëm.”

Mungesa e këtij komiteti e dobëson ndjeshëm rolin e auditit, pasi nuk ka një strukturë që të analizojë gjetjet, të ndjekë rekomandimet dhe të kërkojë llogari nga drejtuesit përgjegjës.

Raporti i KLSH konstaton gjithashtu se auditi i brendshëm nuk ka mbuluar sektorë me risk të lartë, duke lënë jashtë kontrollit fusha kyçe të veprimtarisë së bashkisë. Sipas raportit: “Njësia e auditit të brendshëm nuk ka përfshirë në planin e auditimit sektorë me risk të lartë, si planifikimi i territorit dhe inspektoriati vendor.”

Kjo nënkupton se fushat më të ekspozuara ndaj shkeljeve dhe keqmenaxhimit nuk janë kontrolluar, duke e bërë auditin jo parandalues dhe jo efektiv.

Një tjetër problem lidhet me cilësinë e raporteve të auditit të brendshëm. KLSH vëren se raportet nuk përmbajnë opinion të përgjithshëm mbi funksionimin e sistemeve, duke humbur funksionin kryesor të kontrollit si mjet vlerësimi dhe këshillimi për drejtimin e institucionit.

Po ashtu, auditi i brendshëm nuk disponon dosje të përhershme për njësitë e audituara dhe nuk ka një program të dokumentuar për sigurimin e cilësisë, çka tregon mungesë profesionalizmi dhe standardesh në ushtrimin e këtij funksioni.

Mungesë plani dhe dokumentacioni për rekrutimin e burimeve njerëzore

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit evidenton se Bashkia Bulqizë nuk ka ndërtuar një qasje të strukturuar për menaxhimin e burimeve njerëzore, duke konstatuar se nuk ekziston një plan vjetor rekrutimi.

Mungesa e këtij plani do të thotë se rekrutimet nuk bazohen në një analizë paraprake të nevojave, ngarkesës së punës dhe prioriteteve institucionale, por kryhen në mënyrë fragmentare dhe shpesh pa lidhje me objektivat afatmesme të bashkisë. Në praktikë, kjo sjell mbingarkesë të disa sektorëve, mungesë kapacitetesh profesionale në të tjerë, si dhe rrit rrezikun për punësime jo të bazuara në nevojë reale.

Një tjetër gjetje e rëndësishme lidhet me administrimin e dosjeve të personelit, ku auditimi evidenton mungesa të dokumentacionit bazë për punonjësit e bashkisë. Sipas raportit: “Dosjet personale të punonjësve nuk janë të plota dhe nuk përmbajnë të gjithë dokumentacionin e kërkuar për marrëdhënien e punës.”

KLSH ka konstatuar se në disa raste nuk janë dokumente themelore që lidhen me marrëdhënien e punës, si aktet e emërimit, kontratat e punës, përshkrimet e detyrës dhe dokumentacioni i kualifikimit. Këto mangësi krijojnë paqartësi për ligjshmërinë e punësimeve dhe përgjegjësitë individuale, si dhe për keqadministrim të burimeve njerëzore dhe financiare në institucion.




bulqizaime.al

Reklama
Back to top button