Një tjetër rast ndërhyrjeje të paligjshme është evidentuar pranë monumentit të kulturës “Ura e Vashës” në Klos. Drejtoria Vendore e Policisë Dibër njoftoi se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat kanë arrestuar shtetasin Medi Sina, 44 vjeç, banues në fshatin Fshat, Klos.
Sipas policisë, 44-vjeçari u kap duke ndërtuar një objekt pa lejen përkatëse dhe duke kryer ndërhyrje e punime të paligjshme në zonën e mbrojtur të monumentit të kulturës “Ura e Vashës”. Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shkatërrimi i veprave kulturore” dhe “Ndërtimi i paligjshëm”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme.
Dikur, “Ura e Vashës” paraqitej si një monument i paprekur, me arkitekturën e saj karakteristike prej guri të integruar natyrshëm me shtratin e lumit Mat dhe terrenin shkëmbor përreth, duke ruajtur vlerat historike që i kanë dhënë statusin monument kulture. Sot, pamja e urës ka ndryshuar: pranë saj janë kryer ndërhyrje ndërtimore dhe punime të tjera të paligjshme, me struktura betoni dhe gërmime në zonën përreth.
Ky nuk është një rast i izoluar. Edhe më herët është raportuar për ndërtime dhe ndërhyrje të paligjshme pranë “Urës së Vashës”. Në qershor 2025, një 50-vjeçar nga e njëjta familje, u procedua penalisht për dëmtimin e monumentit të kulturës dhe për ndërtime pa leje, pas publikimit të rastit në media dhe në emisionin investigativ “STOP” në Tv Klan.

Sipas hetimeve të asaj kohe, ishin kryer gërmime, spostime inertesh dhe punime ndërtimi pa leje, përfshirë ndërhyrje me mjete të rënda në afërsi të urës dhe në shtratin e lumit Mat. Pavarësisht raportimeve të përsëritura, për një kohë të gjatë nuk pati ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë dhe territorit.
“Ura e Vashës”, e njohur fillimisht si “Ura e Skurës”, ndodhet mbi lumin Mat, mes fshatit Fshat dhe Guri i Bardhë në Klos. Ajo daton nga fillimi i shekullit XVIII dhe mban statusin “monument kulture”, duke përfaqësuar një vlerë të rëndësishme historike dhe arkitektonike për zonën.
“Ura e Vashës” konsiderohet një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në qarkun e Dibrës, si për vlerat e saj historike dhe arkitektonike, ashtu edhe për rolin që ka në identitetin kulturor të zonës. Vitet e fundit, kjo urë është shndërruar në një nga monumentet më të vizituara, për shkak të pozicionit të saj strategjik shumë pranë Rrugës së Arbërit, duke u bërë një pikë ndalese për udhëtarët dhe turistët që lëvizin mes Dibrës dhe Tiranës.
