Kërkuan rinumërim në Tiranë e Durrës, KAS rrëzon 4 kandidatët e PD-së

Kërkesat e katër kandidatëve të Partisë Demokratike për të rinumëruar kutitë e votimit në qarqet Tiranë e Durrës u rrëzuan nga KAS.
Vendimi i Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve vendosi në seancë paraprake se Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj, Linsandër Hoxha dhe Aulon Kalaja nuk legjitimohen të vendosin në lëvizje KAS-in.
Sipas KAS, këtë të drejtë e kanë subjektet garuese dhe jo kandidatët. Vetëm përfaqësuesi Ilir Rusmali votoi pro që kandidatët të kishin të drejtën për të kërkuar rinumërimin e votave të tyre, që mund të ndikonte në rezultatin e renditjes së tyre në listat e hapura.
Përfaqësuesit Bele e Lako nga PS dhe Braho e Çefa nga PD ishin kundër, duke argumentuar se ankimin mund ta bëjë vetëm subjekti politik dhe jo kandidati. Burime bëjnë me dije se PD nuk ka pranuar mbrëmë të vulosë kërkesat ankimore të kandidatëve të saj që kërkuan rinumërim në qarkun Tiranë.