
Kryeministri britanik Keir Starmer ka reaguar përsëri këtë të hënë, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili paralajmëroi vendosjen e një tarife prej 10% ndaj tetë vendeve evropiane duke nisur nga 1 shkurti, e cila do të rritet në 25% nga 1 qershori, derisa SHBA-të të arrijnë një marrëveshje për blerjen e Groenlandës nga Danimarka.
Siç raporton BBC, Starmer e cilësoi kërcënimin e Trump-it për tarifa ndaj aleatëve evropianë si “plotësisht të gabuar” dhe një “situatë shumë serioze”, duke shtuar se ky veprim “nuk është mënyra e duhur për të zgjidhur dallimet”.
Ai theksoi se mosmarrëveshja duhet të zgjidhet përmes “diskutimit të qetë mes aleatëve” dhe jo përmes presionit ekonomik.
Kryeministri britanik u pyet nga gazetarët nëse do të vendoste tarifa hakmarrëse, por ai u shpreh se një luftë tregtare “nuk është në interesin e askujt”, pasi do të dëmtonte bizneset, punëtorët dhe familjet në Mbretërinë e Bashkuar.
“Një luftë tarifore nuk është në interesin e askujt,” tha Starmer. “Nuk kemi arritur në atë fazë, fokusi im është të sigurohem që të mos arrijmë atje.”
Starmer nënvizoi se çdo vendim për statusin e ardhshëm të Groenlandës “i takon vetëm popullit të Groenlandës dhe Mbretërisë së Danimarkës”.
Megjithëse kritikoi ashpër tarifat e SHBA-ve, ai përsëriti se Britania dhe Shtetet e Bashkuara janë “aleatë të ngushtë dhe partnerë të afërt”, duke theksuar se kjo marrëdhënie ka rëndësi “të thellë” për sigurinë dhe ekonominë britanike.
I pyetur nëse vizita shtetërore e Mbretit Charles në SHBA në prill duhet të vazhdojë, Starmer tha se është e rëndësishme të ruhet “një marrëdhënie e mirë me Shtetet e Bashkuara”, duke shtuar se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, inteligjencës dhe sigurisë mbetet jetik.
Ai shtoi se kjo nuk do të thotë se Londra dhe Uashingtoni nuk kanë dallime në mendime, por se ato duhet të menaxhohen përmes dialogut.
Starmer gjithashtu vuri në dukje se siguria e Groenlandës do të ketë rëndësi gjithnjë e më të madhe ndërsa ndryshimet klimatike po hapin rrugë detare të reja në Arktik, duke intensifikuar konkurrencën strategjike në rajon.
Në fund, kryeministri britanik theksoi se përdorimi i tarifave kundër aleatëve është “i gabuar” dhe se detyra e qeverisë së tij është të mbrojë interesat e njerëzve të zakonshëm, të cilët janë të parët që ndjejnë pasojat kur zinxhirët e furnizimit dëmtohen.
starnews.al