Jep dorëheqjen kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani

Kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani ka dhënë dorëheqjen nga detyra e tij. Raportohet se Sulejmani i ka dorëzuar një ditë më parë dorëheqjen ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxhës. Arsyet e dorëheqjes së kreut të AMP-së ende nuk dihen.
Ai u pezullua nga detyra më 16 prill me kërkesë të Prokurorisë së Beratit, por u rikthye sërish në detyrë 10 ditë më pas me vendim të Gjykatës së Tiranës.
Prokuroria kishte ngritur ndaj tij akuzën për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, e cila është pranuar nga Gjykata e Shkallës së Parë te Beratit. Sipas Prokurorisë së Beratit, Sulejmani ka transferuar oficerët e policisë gjyqësore në kundërshtim me ligjin. Teksa në Berat ka qenë duke u zhvilluar një hetim për disa nga OPGJ-të, ka dyshime se Sulejmani ka ndërhyrë duke i lëvizur nga detyra që mbanin.
Florian Sulejmani është emëruar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në nëntor të vitit 2023.