
Moti i paqëndrueshëm do të na shoqërojë përgjatë gjithë kësaj jave. Duke filluar nga mesdita e të hënës, në vend do të mbizotërojnë reshjet e shiut, të cilat do të jenë në formën e rrebesheve, do të ketë shkarkesa elektrike, si dhe stuhi ere.
“Dita e martë dhe dita e mërkurë do të sjellin reshje intensive në territorin shqiptar, në të gjithë vendin tonë, ku më të fokusuara do të jenë kryesisht në zonat veriore dhe veriperëndimore, ndërsa në zonat qendrore dhe jugore pritet të jenë me intensitet kryesisht mesatar dhe të lartë. Do të jenë reshje në formën e rrebesheve, duke bërë që të kemi reshje të konsiderueshme në territorin shqiptar. Dita e enjte sjell një dobësim të përkohshëm të reshjeve të vendit. Është dita e premte ajo që do të sjellë sërish reshje me intensitete të larta”, tha sinoptikani Hakil Osmani.
Zona veriperëndimore e vendit do të ketë intensitetin më të lartë të reshjeve, të cilat sipas sinoptikanëve do të sjellin edhe problematika me përmbytjet lokale.
“Qarku i Bajram Currit, Kukësi, do të ketë reshje nga 280 mm deri në 300 mm reshje shiu, po ashtu me intensitet mjaft të lartë do të jenë në zonat veriperëndimore, duke përfshirë Shkodrën me Lezhën me rreth 250 mm gjatë këtij episodi me reshje shiu. Zonat qendrore, duke përfshirë këtu edhe kryeqytetin, me një sasi rreth 150 mm; po ashtu verilindja në territorin shqiptar do të ketë sasi të konsiderueshme duke iu afruar shumë pranë 200 mm. Jugperëndimi, duke përfshirë Vlorën, Sarandën, po ashtu dhe Gjirokastrën do të jenë rreth 120–130 mm, ndërsa disi më e mbrojtur do të jetë juglindja me rreth 70 mm deri në 90 mm reshje shiu”.
Sipas sinoptikanëve, fenomen shqetësues do të jetë edhe parametri i erës, ndërsa temperaturat pritet të shënojnë ulje me disa gradë prej të martës.
“Kemi një erë, e cila në det të hapur shkon edhe mbi 100 km/h, ndërsa duke iu afruar më pranë brigjeve detare do të jetë disi më e lehtë, por sërish mbetet e fortë, mbi 65 km/h. Kemi një dobësi të përkohshme të parametrit të erës deri ditën e enjte, por duke filluar dita e premte kemi fuqizim të parametrit të erës, duke sjellë gjatë kësaj jave problematika përsa i përket trafikut detar. Duke filluar nga dita e martë dhe dita e mërkurë do të sjellin një rënie të ndjeshme dhe të menjëhershme të temperaturave të ajrit, duke bërë që maksimumet të jenë rreth vlerës 17 apo 18 gradë Celsius”.
Kjo javë do të jetë java më e lagësht e nëntorit, ku reshjet e shiut pritet të jenë me intensitet të lartë në pjesën më të madhe të javës.
.
Start News
