Aktualitet dhe Lajme

“Java shqiptare e modës” – ngjarje që synon të kthehet në traditë në Tiranë

Share

“Albania Fashion Week” vjen në Tiranë. Kjo ngjarje çel një epokë të re, ku tradita dhe inovacioni global bashkohen për të ridizenjuar të ardhmen e modës shqiptare.

Shqipëria vendoset si destinacion mode në hartën botërore të modës – “Java shqiptare e modës” – ngjarje që synon të kthehet në traditë vjetore me ndikim të madh ndërkombëtar. Eventi ka në thelb edhe kulturën, artin dhe trashëgiminë shqiptare, duke e pozicionuar Tiranën si kryeqytet të ri të modës në nivel global.

Gentiana Dervishi, profesioniste me karrierë të gjatë në botën e modës, presidente e shoqatës “APS Showteam”, është në qendër të kësaj nisme. Ajo sjell përvojën e saj të gjerë ndërkombëtare, fituar me “GX Fashion Week Milan-Paris”, duke sjellë këtë projekt revolucionar.

Eventi nuk kufizohet vetëm me festimin e bukurisë dhe stilit, veçse në pasarelë sfilatash, por synon ta transformojë Shqipërinë në pikë referimi për industrinë krijuese botërore, me fokus artin dhe kulturën shqiptare.

Pjesëmarrësit, stilistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, do prezantojnë krijimet e tyre, duke ndërthurur ndikimet lokale me tendencat globale, një përvojë që feston modën si shprehje të identitetit kulturor. Gjithashtu, eventi i jep hapësirë traditave artizanale, si qëndisjet dhe punimet me dorë, që dëshmojnë trashëgiminë kulturore.

Konferencat dhe seminarët do të eksplorojnë marrëdhënien midis kulturës dhe industrisë globale të modës, duke ofruar një mundësi unike dialogu dhe mësimi. Medie globale, VIP-a dhe profesionistë të modës do t’i bashkohen eventit, duke krijuar mundësi për rritje dhe prezantimin e talenteve shqiptare, si edhe për lidhje ndërkombëtare në këtë sektor. Stilistët e rinj kanë shancin e tyre të artë për të shfaqur krijimet e tyre.

“Java e Modës në Shqipëri” ndihmon gjithashtu në nxitjen e industrisë tekstile lokale, duke tërhequr investime ndërkombëtare.

Ky event e pozicionon Tiranën tek destinacionet e reja globale për modën, artin dhe kulturën.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button