Ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 25-vjeçari në Durrës, pritet ekstradimi në Zvicër (EMRI)

Një 25-vjeçar identifikuar si Mërgim Bruti, është arrestuar nga Policia Kufitare në Durrës, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
25-vjeçari ishte dënuar me 27 muaj burgim dhe pritet ekstradimi në Zvicër.
Shtetasi Mergim Bruti, banues në Itali, u ndalua në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, e cila kishte paralajmëruar për lëvizjen e tij.
Autoritetet zvicerane kishin lëshuar urdhër-ndalimi për të, pasi Gjykata e Luzernit me vendimin e datës 08.01.2025 e ka dënuar me 27 muaj burg për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Njoftim i Policisë:
Shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas në kërkim ndërkombëtar do të udhëtonte drejt Italisë, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen e tij.
Si rezultat, u kap në tentativë për të dalë nga Shqipëria dhe u arrestua me qëllim ekstradimin, shtetasi M. B., 25 vjeç, banues në Itali.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Bern, pasi Gjykata e Luzern, Zvicër, me vendimin e datës 08.01.2025, e ka dënuar me 27 muaj burgim, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët në Zvicër, për ta ekstraduar këtë shtetas.