Ish-presidenti amerikan Joe Biden diagnostikohet me kancer

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden diagnostikohet me kancer në prostatë, thotë zyra e tij, raporton BBC.
Ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë u diagnostikua me kancer në prostatë të premten dhe sipas zyrës së tij, qelizat kancerogjene kanë përparuar në kockat e tij.
“Javën e kaluar, presidenti Joe Biden iu nënshtrua një ekzaminimi për një rritje të sapo zbuluar në prostatën e tij, pasi kishte probleme gjithnjë e më të theksuara urinare.
Të premten, ai u diagnostikua me kancer në prostatë, me një rezultat Gleason 9 (Grupi 5), me metastaza në kocka”, thuhet në deklaratë.
Biden dhe familja e tij “po shqyrtojnë opsionet e trajtimit me mjekët”, thuhej në deklaratë.
Zyra e ish-presidentit Biden shtoi se kanceri është i ndjeshëm ndaj hormoneve, që do të thotë se ka shanse të menaxhohet me një trajtim efektiv.
Ish-presidenti amerikan nga radhët e demokratëve është 82 vjeç. Në SHBA, kanceri i prostatës është kanceri më i zakonshëm dhe shkaku i dytë kryesor i vdekjes nga kanceri te burrat, sipas Shoqatës Amerikane të Kancerit.
Ish-presidenti Biden u largua nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar të 2025, duke ia kaluar stafetën e pushtetit rivalit të tij republikan, Donald Trump.