Aktualitet dhe Lajme

Integrimi i Shqipërisë, mbahet në 18 Mars Konferenca e katërt Ndërqeveritare me BE-në

Share

Shqipëria po vijon avancimin në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, teksa më 18 mars do të zhvillohet Konferenca e Katërt Ndërqeveritare me BE-në. Gjatë kësaj faze, do të hapen zyrtarisht negociatat për dy kapituj të rëndësishëm: Tregu i Brendshëm dhe Konkurrenca.

Lajmin e bëri të ditur shefi i diplomacisë polake, Radoslaw Sikorski gjatë raportimit në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian.

“Ne shpresojmë që të hapim një grup-kapitull të ri të negociatave me Shqipërinë në një konferencë ndërqeveritare që do të zhvillohet muajin e ardhshëm dhe po ashtu vijimin e negociatave edhe me Malin e Zi. Zgjerimi është një proces me përfitime të dyanshme, si për shtetet kandidate dhe për ato anëtare të BE-së. Po ju jap si shembull shifrat në rritje të tregtisë mes Gjermanisë dhe Polonisë që nga koha kur ne u bëmë shtet anëtar. Tregtia mes nesh u rrit me 8 herë”, tha Radoslaw Sikorski.

Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit, duke e afruar Shqipërinë më pranë objektivit të saj për anëtarësim të plotë në BE.

Kujtojmë që Konferenca e Tretë Ndërqeveritare u mbajt më 17 dhjetor në Bruksel, ndërsa tani pritet të vijojë procesi me hapa konkretë në fushën e ekonomisë dhe konkurrencës.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button