Aktualitet dhe Lajme

Inceneratori i Elbasanit/ Shpërthen Lefter Koka: S’jam unë peshku i madh, nuk e dënoni korrupsionin me mua

Share

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka në seancën gjyqësore të zhvilluar këtë të premte, i ka kërkuar pafajësi Gjykatës së Apelit të Posaçme, për akuzat e ngritura ndaj tij në dosjen e inceneratorit të Elbasanit.

Nga kafazi i sallës së gjyqit, ai ka pretenduar se “peshku i madh” ishte dikush tjetër.

“Jam i pafajshëm! Ju po kërkoni të më dënoni mua si peshkun e madh, por nuk jam unë peshku i madh. E di gjithë Durrësi që unë jam biznesmen dhe nuk kam pasur nevojë të më paguajë bileta udhëtimi Mirel Mërtiri. Nuk kam bërë korrupsion e nuk mund të më dënoni për korrupsion”, është shprehur Koka.

Në vijim, Koka ka shtruar pyetjen:Përse prokurorët nuk marrin si referencë kontratat e tjera për landfille, si ai i Vlorës a Lezhës, që janë më të shtrenjta”?

Sipas ish-ministrit të Mjedisit, Apeli po e gjykon çështjen në bazë të një kallëzimi të bërë nga ish-kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe se konkluzionet e togave të zeza, nuk kanë ndryshuar as pas një viti shqyrtime.

“E dëgjova prokurorin sot. Ky është fiks kallëzimi i bërë nga Monika Kryemadhi. Edha pas një viti konkluzionet e prokurorëve janë të njëjtat. Unë e kuptoj që institucioni do të marrë kredibilitet dhe kjo gjykatë do të jetë në presion, por besoj se do të jepni drejtësi dhe do të ngriheni në nivelin e duhur. Pse e ndatë dosjen, apo që të më dënoni sa më shumë mua”, është shprehur Koka në sallën e gjyqit.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button