
Leka Zogu ka kallëzuar në Policinë e Tiranës, ish vjehrrin e tij Gjergj Zaharia si dhe bashkëshorten Elian, me të cilën është në proces divorci. Princi pretendon se ndaj tij është ushtruar dhunë dhe për këtë është paraqitur në Komisariatin e Policisë Numër 1.
Newsbomb.al ka siguruar një pjesë të procesverbalit të mbajtur nga oficeri i policisë gjyqësore, ku Leka Zogu tregon se si ka ndodhur ngjarja. Ndër të tjera, ai thekson se ka shkuar për të takuar vajzën e tij 3-vjeçe. Por, në oborr ka konstatuar një dollap të nxjerrë pa lejen e tij.
Për këtë ka kërkuar nga administratori i pallatit mbretëror që ta shoqëronte për të takuar vajzën, por dhe për të marrë shpjegime për ndryshimet e orendive shtëpiake në shtëpinë e tij.
“Unë fillimisht jam takuar me shefin e administratës së oborrit, shtetasin S. M., të cilin e kam pyetur në lidhje me një dollap që ishte boshatisur në kundërshtim me marrëveshjen.
Më pas i kam kërkuar atij të më shoqëronte deri te vajza ime e vogël, e cila ka qenë në shoqërinë e gjyshit të saj, babait të ish bashkëshortes, shtetasit Gjergj Zaharia. Në këto momente, unë e kam përqafuar vajzën dhe shtetasi Gjergj Zaharia ka filluar me fjalë fyese dhe kërcënuese”, ka thënë fillimisht Leka Zogu.
Më tej ka treguar detajet e dhunës së ushtruar teksa shprehet: “Reagimi im në këtë situatë ka qenë duke i kërkuar Gjergj Zaharisë që të mos shprehej ashtu në sytë e vajzës sime, duke më ofenduar dhe kërcënuar. I kam kërkuar të largohet nga dhoma ku unë po qëndroja me vajzën”, shton më tej ai.
“Në këto momente situata ka agravuar dhe shtetasi Gjergj Zaharia është afruar duke më shtyrë e goditur me shkelma tek këmbët e mia. Reagimi im ka qenë vetëm mbrojtës, por Gjergji ka vazhduar duke më goditur, edhe më ka grisur xhupin si edhe ka marrë edhe një send të fortë (statujë druri) me të cilën më ka goditur. Unë jam mbrojtur me parakrah, edhe jam goditur nga duart me të. Më pas ka ardhur edhe ish bashkëshortja, Elia Zogu, e cila edhe ajo ka filluar që të më sulmojë fizikisht, edhe duke më ofenduar e kërcënuar. Unë kam tentuar të largohem, por ish bashkëshortja ka vazhduar sulmin ndaj meje fizikisht, edhe duke më kërcënuar. Më pas ka dalë jashtë oborrit për t’u larguar, i ndjekur nga ish bashkëshortja ime, e cila ka vazhduar edhe në bulevard duke më ndjekur”, thotë ndër të tjera Princ Leka Zogu në kallëzimin e tij, referuar procesverbalit të mbajtur nga Oficeri i Policisë Gjyqësore.
A ju ndihmoi ky artikull?
PoJo
Huazuar nga newsbomb.net

