Humbja në debutim pas golit të sulmuesit shqiptar, Ten Hag përballet me realitetin te Leverkuseni

Bajer Leverkusen, pësoi një humbje befasuese 2-1 ndaj Hofenhajmit, në ndeshjen e parë të Erik ten Hag në Bundesligë si trajner i skuadrës.
Në një paraqitje të zbehtë dhe të ngadaltë, holandezi analizoi humbjen e skuadrës së tij, ku rastet për gol ishin të pakta: “Qartë që jam i zhgënjyer”, tha Ten Hag.
“Ishte një ndeshje me shumë pak raste dhe Hofenhajm ishte më efektiv.
Nuk arritëm shpesh të futemi në zonën e kundërshtarit. Dy herë nuk u përqendruam dhe pësuam gol.
Kemi shumë punë përpara, gjë që nuk është e papritur. Duhet të qëndrojmë të qetë dhe të vazhdojmë të punojmë”.
Xherell Kuansah shënoi golin e parë për Leverkusen në minutën e gjashtë, por golat e Fisnik Asllanit dhe Tim Lemperle siguruan një fitore 2-1 për vizitorët. Leverkuseni do të udhëtojë për te Verder Bremeni javën e ardhshme.