Humb fëmija në kryeqytet, Policia thirrje familjarëve: Prindërit të na kontaktojnë, i mituri ndodhet në Drejtorinë e Tiranës

Policia e Tiranës ka njoftuar ditën e sotme se një fëmijë rreth moshës 3-4 vjeç, është gjetur i vetëm nga qytetarët tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.
Fëmija është veshur me xhinske blu dhe një bluzë me kapuç ngjyrë blu dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.
Aktualisht fëmija ndodhet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, ndërsa u kërkohet familajrëve të telefonojnë në 112 ose të paraqiten pranë drejtorisë.
“Më datë 30.04.2035, rreth orës 16:00, tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është gjetur nga qytetarët i vetëm në rrugë një fëmijë i mitur rreth moshës 3-4 vjeç, i cili është në gjendje të mirë shëndetësore. Ai mban të veshur një palë xhinkse ngjyrë blu dhe një bluzë me kapuç ngjyrë blu.
Aktualisht fëmija gjendet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Familjarë të tij ose çdo person tjetër që ka kontakte me ta mund të telefonojë në 112 ose mund të paraqitet pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë”, njofton policia.