Hidhet shorti, kush është gjyqtarja që do të shqyrtojë dosjen e Jurgis Çyrbjas

Këtë të mërkurë, GJKKO ka hedhur shortin elektronik për shqyrtimin e dosjes ndaj ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, Ahmet Masha dhe Altin Hajri.
Nga shorti është caktuar gjyqtarja Etleva Deda, e cila do të shqyrtojë çështjen e referuar nga Prokuroria e Posaçme.
SPAK, ka përfunduar hetimet dhe dërgoi dosjen në Gjykatën e Posaçme, duke kërkuar kalimin e saj për gjykim.
Prokurori Adnan Xholi, ka ngritur tre akuza ndaj të pandehurve: “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit, kryer më shumë se një herë”, “Përkrahje e autorit të krimit” dhe “Korrupsion pasiv në zgjedhje”.
Ndërkohë, prokuroria ka vendosur ndarjen e dosjes në fraksione, me qëllim identifikimin e funksionarëve të tjerë publikë që dyshohet se kanë ndihmuar ish-deputetin, në marrjen dhe shpërndarjen e informacioneve të klasifikuara si sekret shtetëror.