fbpx
Aktualitet dhe Lajme

Hezbollahu paralajmëron të hakmerret ndaj Izraelit pas sulmit që la pas 4 mijë të plagosur

Share

Hezbollahu dhe qeveria libaneze fajësuan sot Izraelin për shpërthimin të martën të pajisjeve elektronike të vogla të komunikimit me mesazhe (pager), që përdoreshin nga anëtarët e grupit militant (Hezbollahut). Si pasojë u vranë të paktën 12 persona si dhe u plagosën rreth 4 mijë të tjerë.

Zyrtarë të grupit militant Hezbollah thanë të mërkurën se do të vazhdojnë luftën kundër Izraelit në mbështetje të militantëve të Hamasit në Gazë dhe paralajmëruan Izraelin për një “ndëshkim të ashpër”, siç u shprehën ata.

Izraeli nuk ka bërë komente mbi ngjarjen e cila ndodhi disa orë pasi qeveria izraelite njoftoi një zgjerim të objektivave të saj lidhur me luftën kundër militantëve të Hamasit në Gazë, duke përfshirë garantimin e sigurisë së pjesës veriore të vendit, mes konfliktit me Hezbollahun përgjatë kufirit të Izraelit me Libanin.

Zyrtarë të Ministrisë libaneze të Shëndetësisë thanë se numri i të vdekurve nga shpërthimi ka arritur në 12 persona, mes tyre dy fëmijë, si dhe një numër që nuk dihet ende, punonjësish të kujdesit shëndetësor.

Ministri libanez i Shëndetësisë Firas Abiad tha se dy të tretat e të plagosurve kanë nevojë të shtrohen në spital. Ai shtoi se shkalla e incidentit ishte shumë më e madhe krahasur me shpërthimin masiv në Portin e Bejrutit në vitin 2020.

Shumica e të plagosurve u shënuan në Bejrut dhe në periferinë jugore të këtij qyteti, tha ai.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button