Aktualitet dhe Lajme

Gyokeres në qendër të polemikave me klubin e tij, Arsenali dhe Juventusi ndjekin nga afër situatën

Share

Viktor Gyokeres, sulmuesi suedez është një nga emrat më të nxehtë të afatit kalimtar veror, pasi numrat e tij flasin, ku me 68 gola në 66 ndeshje gjatë dy sezoneve të fundit, është kthyer në një nga sulmuesit kryesor evropian.

Por përtej statistikave mbresëlënëse, sulmuesi i Sportingut nuk është një personalitet i zakonshëm – shpesh përshkruhet si “temperament”. Këtë e dëshmon edhe përplasja e fundit me klubin portugez, që çoi në heqjen e çdo reference për Sportingun nga biografia e tij në Instagram.

Tensioni u ndez pasi presidenti i Sporting Lisbonës, Frederico Varandas, reagoi publikisht lidhur me të ardhmen e Gyokeres dhe pretendimet e agjentit të tij për një largim të mundshëm.

“Mund të garantoj se Gyokeres nuk do të largohet për 60 milionë euro plus 10 milionë bonuse, sepse unë kurrë nuk kam dhënë një premtim të tillë. Sportingu nuk do të kërkojë automatikisht klauzolën e lirimit, por kushdo që më njeh, e di se kërcënimet, shantazhet apo fyerjet nuk funksionojnë me mua”.

“Ka pasur frikë nga pala e lojtarit se ne do të kërkojmë klauzolën 100 milionëshe vitin tjetër. Por jo, kjo nuk do të ndodhë. Asnjë lojtar 27-vjeçar nuk largohet nga Portugalia për 100 milionë euro. Ne e respektojmë dëshirën e Gyökeres për të luajtur në Ligën e Kampionëve dhe e kuptojmë plotësisht. Nuk do të kërkoj 100 milionë. Pikë”, deklaroi Varandas.

Aktualisht, çmimi i vendosur nga klubi portugez varion nga 60 milionë + 10 në formë bonusesh, deri në një vlerësim total që mund të arrijë 75–85 milionë euro, nëse nis një ankand real për kartonin e lojtarit.

Në këtë garë, klubet angleze, veçanërisht Arsenali, janë më të favorizuar ekonomikisht. Suedezi shihet si “plani B” nëse dështon operacioni për Seskon, tek anglezët.

Nga ana tjetër, Juventusi është më i kujdesshëm dhe i kushtëzuar nga disa faktorë. Klubi italian duhet të gjejë fillimisht një zgjidhje për Dusan Vlahovic, i cili rëndon në bilanc me rreth 40 milionë euro.

Vetëm pas një shitjeje të tillë, drejtori Comolli dhe stafi i tij do të kishin hapësirë ekonomike për të hyrë në garë serioze për Gyökeres.

Për momentin, Juve ka kontaktuar me përfaqësuesit e lojtarit dhe po monitoron situatën nga afër. Megjithatë, çdo hap konkret do të varet nga zhvillimet me largimet.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button