Gjykata në Novi Sad urdhëron arrest shtëpiak për 3 nga 6 aktivistët e burgosur

Gjykata e Apelit në Novi Sad ka urdhëruar të martën që tre nga gjashtë aktivistët e burgosur politikë të lirohen nga burgu, pas protestave të mëdha dhe kritikave ndërkombëtare.
Por, Apeli urdhëroi që tre aktivistët, Marija Vasiq, Lado Jovoviq dhe Lazar Diniq, të dërgohen në arrest shtëpiak derisa procedurat ligjore ndaj tyre janë duke u zhvilluar nën dyshimin për veprimtari kundër shtetit.
Për tre aktivistët e tjerë, Mlladen Cvijetiq, Srdan Gjuriq dhe Davor Stefanoviq, Apeli e rrëzoi vendimin e Gjykatës së Lartë dhe e ktheu çështjen në gjykatën e shkallës së parë për një vendim të ri.
Aktivistë dhe qytetarë kanë protestuar vazhdimisht nga 15 maji, duke e bllokuar Gjykatën e Lartë në Novi Sad, pasi ajo kishte marrë vendim javën e kaluar për zgjatjen e paraburgimit për gjashtë aktivistët.
Gjashtë aktivistët nga Novi Sadi u arrestuan më 14 mars, një ditë para një proteste masive në Beograd.
Ata akuzohen për përgatitje të veprës penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Serbisë.
Para arrestimit të tyre, në televizione proqeveritare me mbulim kombëtar u transmetua një audio-incizim i një bisede të përgjuar gjatë një takimi të aktivistëve, ku diskutohej për planet që gjatë protestës në Beograd të promovohej ideja e një qeverie kalimtare dhe të organizohej një hyrje në ndërtesën e Radiotelevizionit të Serbisë.
Avokatët mbrojtës kanë deklaruar disa herë se biseda është përgjuar në mënyrë të paligjshme nga Agjencia për Siguri (BIA) dhe se incizimi nuk mund të përdoret si provë e vlefshme ligjore në këtë proces.
Një ndër aktivistët, profesoresha Marija Vasiq, u hyri në grevë urie në paraburgim dhe në fundjavë u transferua në spitalin e burgut në Beograd për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
Komisioni Evropian tha të hënën se ishte thellësisht i shqetësuar për përkeqësimin e gjendjes shëndetësore Marija Vasiqit.
“Ne presim që autoritetet të veprojnë me përgjegjësi dhe t’i ofrojnë asaj kujdes të përshtatshëm mjekësor”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Komisioni Evropian deklaron gjithashtu se po e monitoron nga afër këtë rast dhe se, ashtu si në raste të tjera, edhe në këtë rast duhet të sigurohet një gjykim i drejtë.
“Ne presim që kushtet e paraburgimit të jenë në përputhje me respektimin e të drejtave themelore, përfshirë dinjitetin njerëzor”, tha Komisioni Evropian kur u pyet nga Radio Evropa e Lirë se si e shohin rastin e paraburgimit të aktivistëve dhe studentëve të Novi Sadit, si dhe zhvillimet pas grevës së Marija Vasiq./REL