Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e ish-gjyqtares, Pajtime Fetahu mbetet në burg

Gjykata e Lartë, ka rrëzuar rekursin e ish-gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu, e cila kërkonte zbutjen e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Fetahu kundërshtonte vendimet e GJKKO-së dhe Apelit, të cilat e kanë lënë në qeli edhe pas pretendimeve të saja se ka problemne shëndetësore dhe i rrezikohej jeta.
Gjithsesi, në burg është lënë edhe nga Gjykata e Lartë, duke i rrëzuar rekursin.
Fetahu mbahet në qelinë e paraburgimit që prej muajit nëntor të vitit 2024, në kuadër të një urdhër-arresti që u lëshua nga SPAK, ku u godit banda e e Suel Çelës në Elbasan.
Ajo dyshohet se ka dhënë vendime apo ka qenë në rolin e sekseres në disa vendime gjykate, ku janë favorizuar anëtarët e bandës së Suel Çela, teksa dyshohet se ka porositur edhe vrasjen e gazetarit Saimir Kodra.
Emri i ish-gjyqtares Pajtime Fetahu, doli dhe në dosjen “Plumbi i Artë 2”, ku u godit banda e dy vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja, ku dyshohet se u ka dhënë informacione sekrete, teksa në atë dosje iu caktua “Arrest në shtëpi”.
Kujtojmë që, Pajtime Fetahu, dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë më 16 nëntor 2022, pak ditë përpara se të përballej me procesin e vettingut.