Një 21-vjeçar nga Bulqiza, Klajdi Lleshi, është vënë në pranga pas një operacioni të Policisë së Durrësit, në bashkëpunim me strukturat në Tiranë dhe Bulqizë, si i dyshuar për një sërë vjedhjesh automjetesh të kryera gjatë javëve të fundit në Durrës dhe në qarkun e Dibrës. Sipas të dhënave hetimore, Lleshi dyshohet se i vidhte automjetet me qëllim shitjen te persona me precedent kriminal, të cilët më pas i përdornin për aktivitete të paligjshme.
Arrestimi ndodhi pas sinjalizimeve se 21-vjeçari ndodhej në Bulqizë dhe sapo kishte vjedhur një automjet tip “Benz” në fshatin Gjoricë, në pronësi të një banori të zonës. Në momentin që pa shërbimet e policisë, ai u largua me shpejtësi në drejtim të Tiranës. Policia e Komisariatit nr. 4 në kryeqytet arriti të bllokojë automjetin dhe të ndalojë të riun, i cili u dorëzua më pas te Policia e Durrësit për veprime të mëtejshme.
Gjatë kontrollit, efektivët sekuestruan katër automjete të vjedhura nga i dyshuari, mes tyre mjete të markave Benz, Toyota, Volkswagen dhe Ford Focus. Hetimet e kryera deri më tani tregojnë se Lleshi është autor i tre vjedhjeve të tjera në lagjet nr. 15 dhe nr. 17 të Durrësit, si dhe i vjedhjes së sendeve personale nga një tjetër makinë në të njëjtën zonë.
Policia thotë se hetimet po vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë, pasi dyshohet se 21-vjeçari mund të jetë përfshirë në ngjarje të tjera të kësaj natyre.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, pas vlerësimit të materialeve të paraqitura nga Prokuroria, ka konfirmuar ligjshmërinë e arrestimit në flagrancë të Klajdi Lleshit. Gjykata ka vendosur gjithashtu masën e sigurisë “arrest në burg”, duke e konsideruar të nevojshme izolimin e tij për vijimin e hetimeve për veprën penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134/1 i Kodit Penal.

