GJKKO urdhër SPAK-ut: Regjistroni kallëzim penal ndaj Xhaçkës dhe bashkëshortit të saj

Gjykata e Posaçme ka marrë vendim duke urdhëruar Prokurorinë e Posaçme të regjistrojë procedimin penal ndaj deputetes Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj Artan Gaçi për akuzat lidhur me tjetërsimin e pronave në Himarë.
Hetimi ka nisur pas një kallëzimi të bërë nga Fredi Beleri, i cili ka kërkuar rishikimin e vendimit të SPAK që nuk kishte nisur procedime ndaj Xhaçkës dhe Gaçit, edhe pse kishin pasur lidhje me një çështje të ngjashme që përfshinte ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro.
Në vendim të datës 28 shkurt, Gjykata e Posaçme ka urdhëruar SPAK të regjistrojë procedimin penal dhe të vazhdojë hetimet ndaj deputetes Xhaçka dhe bashkëshortit të saj për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, të kryera në bashkëpunim.
Akuzat lidhen me dhënien e një prone që, sipas Belerit, është tjetërsuar dhe më pas është shitur Artan Gaçit. Ky proces ka përfshirë edhe falsifikimin e dokumenteve që i dhanë një sipërfaqe prej 5512 metra katrorë tokë, që fillimisht ishte regjistruar si tokë truall dhe më pas u shpall tokë bujqësore, për t’u shitur më tej.
Ndërkohë, në 13 mars, Gjykata e Posaçme ka dënuar Jorgo Goron, ish-kryebashkiakun e Himarës, me 3 vite e 1 muaj burg për shpërdorim detyre dhe mosdeklarim pasurie. Dënimi është ulur në 2 vite e 20 ditë pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar.