Gjermania ofron mbrojtje për dy figura kryesore të opozitës bjelloruse, të liruar nga regjimi i Lukashenkos

Share

Gjermania ka ofruar mbrojtje për Maria Kolesnikovën dhe Viktor Babarikon, dy përfaqësues të njohur të opozitës bjelloruse, të cilët përfshihen në listën e 121 të burgosurve të liruar një ditë më parë nga regjimi i Aleksandër Lukashenkos, pas një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara.

Sipas ministrit federal të Brendshëm, Alexander Dobrindt, Gjermania do të marrë përsipër mbrojtjen e “dy prej figurave më të spikatura” të lëvizjes demokratike në Bjellorusi.

“Qeveria gjermane ka një interes të fortë që të sigurojë vazhdimësinë e mbështetjes ndërkombëtare për lëvizjen demokratike në Bjellorusi”, deklaroi Dobrindt për televizionin publik gjerman ARD.

Maria Kolesnikova ishte krah për krah me lideren e opozitës në mërgim, Svetlana Tikhanovskaya, e cila udhëhoqi protestat masive kundër Aleksandër Lukashenkos në vitin 2020. Kolesnikova zgjodhi të mos largohej jashtë vendit, u arrestua në vitin 2020 dhe më pas u dënua me 11 vite burg.

Nga ana tjetër, ish-bankieri Viktor Babariko kandidoi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe konsiderohej si kundërshtari kryesor i presidentit Lukashenko.

Ai u arrestua dy muaj para zgjedhjeve dhe në korrik të vitit 2021 u dënua me 14 vite burg me akuza për korrupsion, ryshfet në shkallë të gjerë dhe pastrim parash.


starnews.al

Reklama
Back to top button