Aktualitet dhe Lajme

FRONTEX: 31% më pak migrantë të parregullt në Ballkanin Perëndimor në vitin 2023

Share

Agjencia Europiane e Ruajtjes së Kufijeve, FRONTEX publikoi të mërkurën raportin vjetor të 2023 lidhur me zhvillimet e migracionit të parregullt në Europë dhe pritshmëritë për vitin 2024.

“Rruga e Ballkanit Perëndimor,ku përfshihete dhe Shqipëria raportoi një rënie prej rreth 31%, me rreth 99.000 raste të evidentuara të migrimit të parregullt, krahasuar me vitin 2022 thotë raporti .

Sipas raportit “një pjesë e presionit migrator nga kufijtë serbë u zhvendos në kufijtë e Bosnjë Hercegovinës e cila shënoi një rritje me 80% të kalimeve të parregullta të kufirit në 11 muajt e parë të 2023, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Sipas FRONTEX-it emigrantët e raportuar ,si më të shumtit në numër , në Rrugën e Ballkanit Perëndimor , ishin kryesisht sirianë, turq dhe afganë.

Në përmbledhjen e FRONTEX-it thuhet se në vitin 2024 menaxhimi i kufijve evropianë do të vazhdojë të përballet me një sfidë të madhe karakterizuar nga mundësia për rritje të prurjeve migratore dhe krimit ndërkufitar.

Rreziqet për vitin 2024, thotë FRONTEX mund të pritet të prekin kryesisht rrugët e Mesdheut Qendror dhe Lindor.

Presioni i përforcuar i prurjeve migratore në Mesdheun lindor do të kishte efekt edhe në Ballkanin Perëndimor thotë Frontex në raportin vjetor të 2023.

Shqipëria si pjesë e rrugës ballkanike dhe prurjet migratore gjatë vitit 2023

Edhe Shqipëria si pjesë e rrugës Ballkanike të kalimit të migrantëve pësoi një ulje të prurjeve migratore që vijnë kryesisht nga Greqia në vitin 2023.

Me pak se 9 mijë migrantë të huaj të parregullt sipas të dhënave pararake u evidentuan në brendësi të territorit shqiptar, ku pjesa më e madhe e të cilëve kanë hyrë nga Greqia në pikën e Qafë Botës në Sarandë.

Shqipëria është pjesë e Rrugës së Ballkanit Perëndimor ku migrantët e parregullt që hyjnë nga kufiri jugor dhe juglindor shqiptar me Greqinë kalojnë tranzit për të udhëtuar nga zonat veriore në drejtim të Malit të Zi apo Kosovës me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.

Prurjet migratore në Shqipëri u lidhën ngushtësisht gjatë vitit 2023 me situatën në kampet greke të migrantëve, me ritmin e hyrjes së migrantëve të parregullt në Greqi, kryesisht nga kufiri turk por edhe me aktivitetin e rrjeteve rajonale apo kombëtare të kontrabandimit të migrantëve.

Autoritetet shqiptare firmosën mesin vitit të shkuar një marrëveshje bashkëpunimi me FRONTEX që synon të sigurojë shkëmbimin e informacionit në lidhje me pretendimet për shkelje të të drejtave themelore në aktivitetet operacionale të Frontex në territorin e Shqipërisë.

Frontex nisi operacionin e përbashkët në Shqipëri, operacionin e parë të agjencisë në Ballkanin Perëndimor, në maj 2019. Aktualisht janë 162 oficerë evropianë të rojeve kufitare që punojnë së bashku me Policinë kufitare Shqiptare.

Sipas të dhënave nga Agjencia Europiane për Ruajtjen e Kufijve , Frontex, numri i kalimeve të parregullta në kufirin e jashtëm të Bashkimit Europian arriti në vitin 2023 në rreth 380 000, i nxitur nga një rritje e mbërritjeve përmes rajonit të Mesdheut,

Kjo shënon nivelin më të lartë që nga viti 2016 dhe përbën një rritje prej 17% krahasuar me kalimet e parregullta të vitit 2022, duke treguar një tendencë të vazhdueshme rritëse gjatë tre viteve të fundit.

Sirianët përbënin mbi 100 000 kalime të parregullta përgjatë vitit 2023 ,duke shënuar edhe numërin më të lartë midis të gjitha kombësive.

Ata u pasuan nga guineasit dhe afganët.

Këto tre kombësi kryesore përbënin mbi një të tretën e të gjitha kalimeve, sipas FRONTEX./voa




Huazuar nga Albeu.com

Një kafe nga ju!

Back to top button