Fronëzimi i Imzot Joanit si Kryepeshkop/ Presidenti Begaj: Qofshi një udhëheqës që ndërton ura dhe që përhapni dashuri e paqe

Këtë të shtunë, presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë e fronëzimit të Fortlumturisë së Tij Joan Pelushi si Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.
Para klerikëve shqiptarë e ndërkombëtarë dhe besimtarëve ortodoksë, Presidenti i Republikës uroi Fortlumurinë e tij Joan për ngjitjen në fronin më të lartë të Kishës, duke e quajtur këtë ditë si historike për Autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare dhe për gjithë shoqërinë shqiptare.
“Qofshi një udhëheqës që ndërton ura, që nxit bashkëjetesën, që forcon besimin, që përhapni dashuri, paqe, shpresë dhe drejtësi mes njerëzve! Zoti qoftë me ju në çdo hap të këtij udhëtimi fisnik!”, – uroi Presidenti i Republikës.
Fronëzimin e Kryepeshkopit Joan, Presidenti Begaj, e cilësoi si një kapitull të ri në jetën shpirtërore të vendit që nis me shpresë, me besim dhe përgjegjësi, teksa njëkohësisht shprehu mirënjohje ndaj Kryepeshkopit të mëparshëm, Anastas, për shërbimin me urtësi dhe përkushtim.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë solemne, Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e etërve të Kishës për ruajtjen e Autoqefalisë dhe kontributin patriotik e atdhetar të tyre përgjatë procesit të shtetformimit dhe në vitet e errëta të regjimit diktatorial.
Presidenti i Republikës theksoi, gjithashtu, rëndësinë që ka kisha, jo vetëm si institucion fetar, por edhe si një udhërrëfyese dhe mbrojtëse e vlerave shpirtërore, kulturore e kombëtare.
Presidenti Begaj ftoi të gjithë qytetarët në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të përulur, më të bashkuar, më të vëllazëruar ndërsa garantoi mbështetjen e shtetit në gjithçka që shërben për të mirën e qytetarëve, që forcon harmoninë dhe bashkëjetesën mes besimeve, që forcon mirëkuptimin dhe vlerat që na bashkojnë.