FOTO/ Zgjedhjet e 11 majit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton fletën e votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar fletën e votimit gjatë mbledhjes së zhvilluar pasditen e sotme.
Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi u shpreh se gjëja më e rëndësishme është fakti se fleta e votimit do të jetë gati një muaj para nisjes zyrare të fushatës, gjë e cila nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë.
Celibashi tha se do të merret në konsideratë propozimi i Marash Logut për të bërë korrektimet e kandidatëve me dy mbiemra.
“Vendimmarrja e sotme konsistonte në përmbajtjen e fletës së votimit. Si do ishin kandidatët dhe si do shfaqeshin në fletën e votimit. Duke marrë në konsiderate propozimin e zotit Logu do ta miratojmë fletën e votimit për të 12 qarqe, duke bërë këto korrektimet e kandidatëve me dy mbiemra. Kjo do të jetë përmbajtje e fletës së votimit. Kjo është për Tiranën, ndërsa për qarqet e tjera do të bëhet publike.
Qëndron argumenti për të patur një njëtrajtshmëri në shkrimin e emrave të kandidateve dhe cdo gjë tjetër që lidhet me kandidatët.
Ajo që ngelet e rëndësishëm për kandidatët dhe forcat politike është që si asnjëherë tjetër më parë kanë përmbajtjen e fletës së votimit gati 1 muaj para fillimit të fushatës. Ndonjëherë na është dashur që të jetë fleta e votimit edhe në fushatë”, tha Celibashi.
Më 11 Maj shqiptarët do të votojnë në një fletë të madhe, përtej asaj që kemi parë në zgjedhjet e kaluara, ku 11 subjekte elektorale do jenë të renditura në fletën e votimit dhe secili prej tyre do ketë 186 kandidatë sipas qarqeve.
Në krye të saj fleta e votimit ka logon e partisë kryesore, emrin e kreut të koalicionit, si dhe të gjitha partive që përbëjnë koalicionin. Dhe poshtë renditen njëri pas tjetrit të gjithë kandidatët e listës së hapur.
Në Qarkun e Tiranës, fleta e votimit pritet të jetë gjigande nga përmasat, pasi në të do të renditen jo pak, por 539 kandidatë në të dyja listat, atë të mbyllur dhe të hapur.