Forcat Speciale arrestojnë bashkëshortin e ish-ministres socialiste, PSD kërkon lirim të menjëhershëm

Dardan Molliqaj, politikan i njohur në Kosovë dhe bashkëshorti i ish-ministres së Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini, është arrestuar nga Njësia e Reagimit të Shpejtë e Policisë së Kosovës ishte rrugës për një takim politik.
Partia Socialdemokrate e cila drejtohet nga Dardan Molliqaj, ka dalë me një reagim zyrtar përmes të cilit konfirmon arrestimin, por thotë se arsyet nuk janë të dituara.
“Ky arrestim është totalisht jashtë çdo racionaliteti. Përderisa nuk ka marrë as ftesë nga gjykata dhe në të njëjtën kohë çdo ditë është në rutinën e tij dhe mund të gjindet lehtësisht, kjo sjellje nuk mund të lexohet ndryshe përveç se presion politik dhe demonstrim force nga një njësi e krijuar për situata emergjente dhe të rrezikshme, jo për të ndaluar opozitën politike”, thuhet në komunikatë.
Partia opozitare ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të kryetarit të saj, duke pretenduar se gjithçka është politike.
“Prioriteti dhe zelli në të cilin janë vendosur anëtarët e PSD-së për ‘shqyrtim rastesh’ lë dyshime se kjo po ndodhë qëllimshëm, meqë një numër të madh rastesh e kanë së bashku me antëtarët e VV-së, duket që mësyrja është kryesisht ndaj PSD-së. Arrestime të tilla nuk na ndalin, vetëm e bëjnë më të qartë për të gjithë kush ka frikë nga organizimi politik”, vijon deklarata.
Dardan Molliqaj është arrestuar disa herë nga autoritet në Kosovë, pasi është drejtues i një prej partive kryesore opozitare atje dhe njihet për protestat dhe reagimet e forta ndaj qeverisë së kryesuar nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.