Aktualitet dhe Lajme

Forcat izraelite hapin zjarr ndaj njerëzve në pikat e shpërndarjes së ndihmave në Rafah, dhjetëra viktima

Share

Të paktën 30 persona janë vrarë, pasi tanket izraelite hapën zjarr pranë një qendre ndihme në Gaza, thonë ekipet e shpëtimit ndërsa rreth 150 palestinezë janë plagosur.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit, kanë thënë se aktualisht nuk janë në dijeni të lëndimeve të shkaktuara brenda vendit të shpërndarjes së ndihmës humanitare dhe shtojnë se çështja është duke u shqyrtuar.

Izraeli vendosi një bllokadë totale në Gaza dhe rifilloi ofensivën e tij ushtarake kundër Hamasit më 18 mars, duke rrëzuar një armëpushim dy-mujor të ndërmjetësuar nga SHBA-të, Katari dhe Egjipti.

Ndërkohë Fondacioni Humanitar i Gazës, në një deklaratë më herët bëri me dije se 16 kamionë me ndihma u shpërndanë herët të dielën “pa incidente”.

Vendi i ndihmës drejtohet nga GHF, një grup që mbështetet si nga donatorët ndërkombëtarë ashtu edhe nga Izraeli. GHF kohët e fundit filloi të vepronte në Gaza.

Sipas Reuters, disa palestinezë kanë vënë në dyshim neutralitetin e GHF dhe kanë ngritur shqetësime në lidhje me Izraelin duke përdorur kontrolle biometrike, zyrtarët izraelitë thanë se kontrollet përdoren për t’u siguruar që askush i lidhur me Hamasin nuk merr ndihmë.

Bassam Zaqout, drejtor i Shoqatës Palestineze të Ndihmës Mjekësore, ka përshkruar skenat kaotike në pikat e shpërndarjes së ndihmave pas sulmit vdekjeprurës izraelit në Rafah.

“Njerëzit ecin me kilometra që nga mëngjesi i hershëm, duke u përpjekur të arrijnë pikat e kufizuara të ndihmës, tani vetëm katër në të gjithë Gazën… dhe të gjitha të rrethuara nga ushtarë izraelitë. Kur ndiejnë se turmat rriten dhe nuk janë të kontrollueshme, ushtarët hapin zjarr mbi ata që presin furnizime”.

Më 28 maj, Hamasi akuzoi Izraelin për vrasjen e të paktën tre palestinezëve dhe plagosjen e 46 të tjerëve pranë një prej vendeve të shpërndarjes së GHF, një akuzë që grupi i ndihmës e mohoi.

Ushtria izraelite tha gjithashtu se trupat e saj qëlluan me të shtëna paralajmëruese në zonën jashtë kompleksit për të rivendosur kontrollin, ndërsa mijëra palestinezë nxituan drejt një vendi shpërndarjeje ndihmash.

Hamasi tha të shtunën se po kërkonte ndryshime në një propozim të mbështetur nga SHBA-të për një armëpushim të përkohshëm me Izraelin në Gaza, por i dërguari i Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff e hodhi poshtë përgjigjen e grupit si “krejtësisht të papranueshme”.

Grupi militant palestinez tha se ishte i gatshëm të lironte 10 pengje të gjallë dhe të dorëzonte trupat e 18 të vdekurve në këmbim të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite. Por Hamasi përsëriti kërkesat për t’i dhënë fund luftës dhe tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza, kushte që Izraeli i ka hedhur poshtë.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button