Fliste me celular nga burgu, kontrolli blic i zbulon telefonin në qeli, Laert Haxhiut

Një kontroll blic i kryer nga policia e burgjeve në qelitë e burgut të sigurisë së Lartë në Korçë, ka çuar në zbulimin e një aparati telefoni, që përdorej për thirje telefonike nga Laert Haxhiu.
Haxhiu, kishte disa kohë që u transferua nga ambjentet e burgut Nr.313 në Tiranë në drejtim të burgut të sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës, aty ku vuajnë dënimin me burg përjetë dhe dy bashkëpuntorët më të ngushtë të tij, Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.
Mësohet se Haxhiu është përgjuar teksa fliste me persona të tjerë jashtë burgut, ndaj kontrolli në orët e mesnatës është kryer posaçërisht në qelinë e tij.
Aparati i telefonit pritet të çohet për ekspertim kompjuterik, për të mësuar se me cilët persona ka komunikuar.
Tashmë ndaj Laert Haxhiut është ngritur akuza e “Futjes së sendeve të palejuara në burg”, rast të cilin do e ndjekë prokuroria e Korçës.
Ndërkohë pas gjetjes së celularit, Laert Haxhiu, ka kaluar tashmë në izolim të plotë në burg.
Laert Haxhiu është dënuar me burgim të përjetshëm për atë që njihet si masakra e Lushnjes në vitin 2017, ku mbetën të vrarë dy persona, Zamir Latifi, mik i nipit të Aldo Bares, dhe Jurgen Hoxha.
Ndërkohë pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja dhe një kalimtar mbetën të plagosur aksidentalisht.