Fitoi mandatin e deputetes pas rinumërimit në Fier, Maldrita Bardho e PS jep dorëheqjen! Zegjine Çaushi rikthehet në Parlament

Socialistja Maldrita Bardho, ka dhënë dorëheqjen si deputetet e re e Kuvendit të Shqipërisë, pasi fitoi mandatin nga rinumërimi i kutive të votimit në Fier, duke i marrë mandatin Zegjine Çaushit me 10 vota më shumë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Maldrita Bardho shprehet se do të vijoj të kontribuoj për Partinë Socialiste dhe për Lushnjen, por pa qenë pjesë e parlamentit shqiptar, duke ia lënë vendin koleges së saj, Zegjine Çaushi.
“Do t’i lë me shumë kënaqësi vendin tim, koleges dhe mikes time, Zegjine Çaushi, Zegjinesë që ka luftuar ndoshta më shumë për skuadrën se sa për veten këtë fushatë, duke u vënë në shenjestër të sulmeve të pamerituara nga politika e vjeter, nga politika e përbaltjes që ka frikë nga zërat e rinj, Zegjinesë nga e cila sot më ndajnë vetëm 10 vota dhe që padyshim e meriton të jetë në sallën e Kuvendit, për të përfaqësuar të rinjtë, sidomos vajzat”, shkruan ajo.
Pasi ndoqa me vëmendje rinumërimin e votave për qarkun Fier, ndihem e lumtur dhe e nderuar që kontributi im i gjatë në Partinë Socialiste është vlerësuar nga bashkëqytetarët e mi dhe ata më kanë konsideruar të denjë për ti përfaqësuar në parlamentin shqiptar.
Megjithatë, unë kam marrë një vendim të rëndësishëm, që kam dëshirë ta ndaj me të gjithë, një vendim që e kam marrë përpara se të niste rinumërimi dhe që sot m’u përforcua përfundimisht.
Unë do të vijoj të kontribuoj për Partinë Socialiste dhe për Lushnjen, me të gjithë mundësitë e mia, por pa qenë pjesë e parlamentit shqiptar.
Do t’i lë me shumë kënaqësi vendin tim, koleges dhe mikes time, Zegjine Çaushi, Zegjinesë që ka luftuar ndoshta më shumë për skuadrën se sa për veten këtë fushatë, duke u vënë në shenjestër të sulmeve të pamerituara nga politika e vjeter, nga politika e përbaltjes që ka frikë nga zërat e rinj, Zegjinesë nga e cila sot më ndajnë vetëm 10 vota dhe që padyshim e meriton të jetë në sallën e Kuvendit, për të përfaqësuar të rinjtë, sidomos vajzat.
Ju falenderoj nga zemra thellësisht dhe do të jem aty për të gjithë ju që më votuat, me të njëjtin entuziazëm dhe forcë që vetëm ne socialistët kemi!