FIFA po mundohet ta mbulojë një skenë të turpshme para fillimit të Kupës së Botës për Klube

FIFA ka bërë një ndryshim në minutën e fundit para nisjes së Kupës së Botës për Klube me 32 ekipe, që fillon në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Turneu i riformatuar, që përfshin 12 ekipe nga Evropa, gjashtë nga Amerika e Jugut, pesë nga Amerika e Veriut dhe Qendrore, katër nga Azia dhe Afrika dhe një nga Oqeania, nis në Shtetet e Bashkuara me Inter Miamin e Lionel Messit dhe Al Ahly nga Egjipti në stadiumin ‘Hard Rock’.
Real Madrid, Bayern Munich, Manchester City, Paris Saint-Germain, Inter Milan, Atletico Madrid, Chelsea, Borussia Dortmund, Porto, Juventus, Flamengo, River Plate dhe Boca Juniors janë ndër ekipet e mëdha pjesëmarrëse, por jehona rreth këtij turneu të parë të këtij lloji ka qenë e zbehtë, për të thënë të paktën.
Sipas Mike Keegan nga Daily Mail, FIFA ka vendosur të zhvendosë tifozët në ulëse të tjera në mënyrë që stadiumi të duket më i mbushur në transmetimet televizive.
Turneu po transmetohet nga DAZN, që ka nënshkruar një marrëveshje prej 1 miliard dollarësh për të drejtat televizive.
Gazeta thotë se disa tifozëve u janë ndryshuar vendet, me FIFA-n që thekson se kjo është një praktikë e zakonshme në ngjarje të tilla dhe asnjë tifoz nuk do të përfundojë në vende më të lira sesa ato që ka paguar.
Biletat për një ndeshje të fazës së 1/16 në stadiumin ‘Bank of America’ në Charlotte, Karolina e Veriut me 74,867 ulëse janë shitur mirë në një seksion, por jo në një tjetër sipas hartës së vendeve.
Një artikull i gjatë nga The Athletic tregon se stafi i FIFA-s në SHBA kishte propozuar përdorimin e stadiumeve të MLS me kapacitet më të vogël për disa ndeshje, veçanërisht për ekipet më pak të njohura.
Por, ndërsa ata mendonin se kjo do të ishte më mirë për të ardhurat dhe për të shmangur ulëset bosh, zyra evropiane e FIFA-s, e udhëhequr nga presidenti Gianni Infantino, nuk ishte dakord.
Tetë nga 12 stadiumet e përzgjedhura kanë kapacitet mbi 65,000 ulëse dhe vetëm 12 nga 64 ndeshjet do të luhen në stadiume të MLS-së.
Disa tifozë kanë përfituar kthim të pjesshëm të parave pasi kishin paguar më shumë për biletat përmes kuotës zyrtare të klubit gjatë daljes në shitje.