
Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) ngre shqetësime të reja për funksionimin e sistemit të kadastrës dhe regjistrimin e pronave, duke paralajmëruar se boshllëqet ligjore, vonesat administrative dhe zbatimi joefektiv i legjislacionit mund të dëmtojnë sigurinë juridike dhe klimën e investimeve në vend.
Në raportin “White Book 2026-2029”, FIAA vlerëson se kuadri ligjor shqiptar në parim garanton të drejtën themelore të pronës, në përputhje me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Megjithatë, mbrojtja efektive e kësaj të drejte mbetet një nga fushat më problematike gjatë gjithë periudhës së tranzicionit demokratik.
Probleme me regjistrimin dhe titujt e pronësisë
Sipas raportit, një nga sfidat më të mprehta vazhdon të jetë regjistrimi formal i pronave, i penguar nga mbivendosja e titujve të pronësisë, pretendimet e shumëfishta mbi të njëjtën pasuri, pengesat burokratike dhe vonesat administrative. FIAA thekson se përfundimi i regjistrimit të pronave nuk është vetëm çështje e të drejtave të qytetarëve, por edhe një parakusht kyç për krijimin e një klime të sigurt për investimet dhe zhvillimin ekonomik.
Ligji për Kadastrën, hap pozitiv por me mangësi
Ligji nr. 111/2018 “Për Kadastrën”, që hyri në fuqi në vitin 2019 dhe krijoi Agjencinë Shtetërore të Kadastrës si institucion të unifikuar, konsiderohet një hap pozitiv drejt reformës. Ky ligj vendosi bazat për sistemin digjital të kadastrës dhe shërbimet online “one-stop shop”. Megjithatë, FIAA vëren se ligji fokusohet më shumë në organizimin administrativ sesa në sigurimin e shërbimeve të shpejta dhe cilësore për qytetarët dhe investitorët.
Raporti identifikon edhe paqartësi konceptuale dhe përplasje me Kodin Civil, veçanërisht lidhur me momentin kur e drejta e pronësisë konsiderohet e njohur përfundimisht.
Dëmet nga gabimet e kadastrës pa rregulla të qarta kompensimi
Një nga problemet kryesore lidhet me mungesën e rregullave të detajuara për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga aktivitetet kadastrale.
FIAA thekson se, ndonëse ligji parashikon krijimin e një fondi rezervë për kompensime, ai nuk specifikon natyrën e dëmit, mënyrën e vlerësimit apo procedurat konkrete të kompensimit.
Organizata rekomandon përfshirjen e dispozitave më të qarta dhe të detajuara për këtë çështje.
Afatet ligjore nuk respektohen, mungon mekanizmi i ankesave
Ligji përcakton që shërbimet kadastrale duhet të kryhen brenda 15 deri në 21 ditë, por FIAA thekson se në praktikë nuk ekziston një mekanizëm efektiv për të garantuar respektimin e këtyre afateve.
Shoqata rekomandon krijimin e një komiteti monitorimi, dhe një platforme interaktive për administrimin e ankesave.
Kufizime për transferimin e pronave me hipotekë
Një tjetër shqetësim lidhet me nenin 56 të ligjit, i cili ndalon regjistrimin e kontratave të transferimit të pronës gjatë kohës që ajo është e hipotekuar. FIAA e konsideron këtë dispozitë në kundërshtim me Kodin Civil dhe rekomandon shfuqizimin e saj, pasi kufizon qarkullimin e lirë të pronës dhe dëmton aktivitetin ekonomik.
Rrezikohet përfundimi i proceseve të pronësisë deri në 2028
Ligji nr. 20/2020 parashikon përfundimin e proceseve tranzitore të pronësisë deri më 31 dhjetor 2028. Por FIAA paralajmëron se ritmi aktual i ngadaltë, vonesat dhe backlog-u i trashëguar rrezikojnë seriozisht arritjen e këtij afati. Nëse këto procese nuk përfundojnë, transferimi i pronave dhe efektiviteti i reformës do të mbeten të kufizuara. Sipas FIAA, një pjesë e madhe e problemeve nuk lidhet me vetë ligjin, por me mënyrën se si ai zbatohet në praktikë.
“Edhe norma më e mirë ligjore mbetet e kushtëzuar nga zbatimi korrekt, objektiv dhe i paanshëm,” thekson raporti.
Në përfundim, FIAA rekomandon ndryshime ligjore, forcim institucional dhe përmirësim të zbatimit për të garantuar sigurinë juridike të pronës dhe për të krijuar një mjedis më të favorshëm për investimet në Shqipëri. ekofin.al
Start News