“Është një këngë e tmerrshme, s’ka lidhje me futbollin”, Ylli Manjani revoltohet me “himnin” Adem Jashari në stadium

Share

‘Mora Fjalë’ kënga e kompozuar nga Naim Gjoshi dhe kënduar nga Shkurte Fejza, kohët e fundit është kthyer në një ‘himn’ tashmë gjatë ndeshjeve të kombëtares.

Tifozët në stadium e kanë bërë traditë këndimin e vargjeve të këngës kushtuar heroit të UÇK-së Adem Jasharit.

Por Ylli Manjani, ish-ministër i Drejtësisë, ka rezerva në lidhje me këndimin e kësaj këngë në stadiume, pasi sipas tij nuk ka qenë futbollist dhe nuk ka lidhje me futbollin.

“Mund të më shpjegojë dikush se çfarë pune ka kënga e Adem Jasharit te Kombëtarja e Futbollit?

Pa lidhje. Ajo është përdhosje e figurës së Adem Jasharit. Adem Jashari nuk ka qenë futbollist. Po të kishte qenë Panajot Pano. Dakord. Hajde, do e pranonim.

Po ajo është një këngë e tmerrshme, çohu Adem. Pa lidhje. S’ka lidhje. Zero. Por ama po ta thuash këtë publikisht, do thotë që ti ke përdhosur [simbolet, të shkuarën, historinë]”, u shpreh Manjani në një intervistë me GogoCast.

Disa prej komentuesve në rrjetet sociale bien dakord me qëndrimin e Manjanit, ndërsa të tjerë e kundërshtojnë.

“Më në fund e tha dikush,” shkruan një person. “Shumë mirë e ke. Futbolli s’ka lidhje me luftën,” komenton një tjetër. “Të drejtë ke; është bërë himn futbolli dhe nuk e kuptoj arsyen,” shkruan një i radhës.

Nga ana tjetër, ka edhe shumë të tjerë që kritikojnë deklaratën e tij. “Është një këngë patriotike që motivon çdo shqiptar,” thekson dikush. “Ne, si popull, e ndiejmë në gen ndarjen, shtypjen, pushtimin shumëshekullor dhe jemi në kërkim të bashkimit, me të gjitha mënyrat, figurat e heronjtë,” shton një tjetër person.

“Është thjesht një këngë që nxit dashurinë për kombin dhe na mbledh të gjithë bashkë,” lexohet në një tjetër koment.




Huazuar nga Albeu.com

Reklama
Back to top button