Ermal Mamaqi: “Nëse ti nuk shitesh, ti nuk vlen!”

I ftuar në episodin e katërt të “Flet” me Ilnisa Agolli, aktori Ermal Mamaqi foli për vështirësitë e tij në rini.
Mamaqi tha se ka patur vështirësi pasi vinte nga një familje që nuk kishte shumë financa dhe se gjithmonë ka patur ëndërr të rrinte me “VIP-at” e klasës.
Pjesë nga intervista:
Ilnisa Agolli: Cilat kanë qenë vështirësitë e tua në rini?
Ermal Mamaqi: Një nga vështirësitë e mia të para, që lidhet me shkollën fillore, është që unë kam qenë një nga ata djemtë ‘loosers’ të klasës. Ndoshta dikujt tani duke parë tipin tim çapkën, mund të thotë që ky ka qenë kështu e ka qenë ashtu, por në fillimet e shkollës 8-vjeçare, unë kam qenë një nga ata djemtë që nuk kishim shumë financa. Vinim nga një familje intelektualësh, por me rroga shteti komunist. Kështu që e kam pasur ëndërr gjithmonë që të rrija me këto VIP-at e klasës.
Ilnisa Agolli: Ka figura publike që nuk e meritojnë fatin financiar që u ka rënë, që nuk kanë mundësi të mira. Çfarë u thua ti atyre?
Ermarl Mamaqi: Atëherë problemi më i madh ka qenë sistemi, nuk ka patur asnjë lloj strukture, asnjë lloj mundësie se ku ta shisje artin tënd ose gjënë tënde, por tani unë besoj se janë të gjitha mundësitë se si mësosh që të shesësh. Problemi më i madh që kanë disa artistë sot që vuajnë këtë lloj gjendje, është se besojnë që nuk duhet të shiten. Ka një hapësirë shumë të madhe që mund ta mbushim këtë fjalën, se çfarë do të thotë të shitesh, a është gjë e mirë apo e keqe. Por unë besoj se nëse ti nuk shitesh, do të thotë se ti nuk vlen.
Ilnisa Agolli: Kush janë kolegët e tu sot, janë aktorët, muzikantët apo biznesmenët?
Ermal Mamaqi: Padyshim që biznesmenët. Ka lloj-lloj biznesmenësh, por unë përzgjedh ata të cilët janë të fokusuar tek vlerat njerëzore, te rritja, te pozitiviteti, te energjia e mirë.