Erion Braçe denoncon krimin mjedisor: Ujërat e zeza po derdhen në Liqenin Artificial (VIDEO)

Mëngjesin e sotëm, deputeti socialist Erion Braçe, ka denoncuar me anë të një video në rrjete sociale derdhjen e ujërave të zeza, në Liqenin Artificial në Tiranë.
Socialisti shprehet se ky krim mjedisor, duhet të ndalet menjëherë dhe shton më tej se kjo evidentohet edhe për shkak të aromës së rëndë që ndihet në zonë.
“Derdhja e ujërave të zeza në liqen është krim mjedisor, mjafton të lëvizësh në këtë anën e liqenit që kufizuar me liqenin e thatë dhe zonën rreth e qark për të kuptuar thjesht nga aromat se sa ujëra të zeza po derdhen në liqen. Duhet ndalur. Kjo është e vetmja hapësirë ujore brenda parkut dhe brenda gjithë Tiranës”, dëgjohet të thotë Braçe në video.
Krahas videos, deputeti shkruan se: “DERDHJA E UJRAVE TË ZEZA NË LIQEN NGA ZONA E LIQENIT TË THATË – mbi të dhe anash tij në drejtim të Kopshtit Zoologjik, ËSHTË EVIDENTE, TË ÇAJNË HUNDET, VEÇANËRISHT PAS NJË PERIUDHE TË GJATË TË NXEHTË DHE PA RRESHJE. NUK KA DHUNIM MË TË RËNDË TË HAPËSIRËS PUBLIKE, NË KUFIJTË E NJË KRIMI MJEDISOR! DUHET TË NDAAAAAALUUUUUUR!”.