Erdogan dhe Maduro zhvilluan një bisedë telefonike, ja çfarë diskutuan

Share

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij venezuelian, Nicolas Maduro, gjatë së cilës e inkurajoi atë të vazhdojë dialogun me SHBA-në.

“Është e rëndësishme të mbahen të hapura kanalet e komunikimit mes SHBA-së dhe Venezuelës,” i tha Erdogan Maduros, duke shprehur shpresën se “tensionet do të ulen sa më shpejt të jetë e mundur”, sipas deklaratës së Presidencës turke.

Erdogan theksoi gjithashtu se Ankaraja po ndjek nga afër zhvillimet në rajon dhe vlerësoi se “problemet mund të zgjidhen përmes dialogut”.

Sipas autoriteteve venezueliane, “Erdogan shprehu shqetësimin e thellë për kërcënimet ndaj Venezuelës, veçanërisht për dislokimin e forcave ushtarake dhe veprime të ndryshme që synojnë të prishin paqen dhe sigurinë në Karaibe”.

Maduro, nga ana e tij, foli “në detaje për natyrën e paligjshme, të tepruar dhe të panevojshme” të kërcënimeve, duke theksuar se qeveria e tij “vijon të punojë me vendosmëri” për të garantuar “zhvillim ekonomik, paqe dhe stabilitet”.

Gjatë bisedës, Erdogan dhe Maduro folën edhe për pezullimin e fluturimeve nga disa linja ajrore ndërkombëtare, pas një njoftimi të administratës amerikane të aviacionit për shkak të shtimit të aktivitetit ushtarak rreth Venezuelës.

Të dy liderët “ranë dakord se është me rëndësi të madhe rivendosja sa më shpejt e lidhjes ajrore Karakas–Stamboll–Karakas nëpërmjet Turkish Airlines”, thuhet në deklaratë.

SHBA ka shtuar ndjeshëm presionin ndaj Venezuelës duke dislokuar forca detaro-ajrore në Karaibe, duke kryer sulme ajrore ndaj anijeve të shpejta që, sipas Uashingtonit, transportonin droga (me 87 të vrarë), duke lëshuar paralajmërime për aviacionin civil dhe duke lënë të nënkuptohet mundësinë e goditjeve brenda territorit venezuelian.

Kujtojmë se presidenti amerikan Donald Trump akuzon prej kohësh qeverinë e Venezuelës se drejton një rrjet trafiku droge që furnizon tregun amerikan.

Karakasi i mohon akuzat dhe thotë se synimi i vërtetë i SHBA-së është ndryshimi i regjimit për t’i hapur rrugë kompanive amerikane të naftës të marrin nën kontroll rezervat e mëdha të naftës së vendit.

Megjithatë, të mërkurën, Maduro njoftoi se kishte pasur një bisedë telefonike me presidentin amerikan Trump, të cilën e përshkroi si “të ngrohtë” dhe të zhvilluar në atmosferë “respekti”.

Turqia ka ruajtur marrëdhënie të mira me Venezuelën. Erdogan e vizitoi vendin në vitin 2018 për t’i shprehur mbështetje Maduros në një kohë kur SHBA dhe disa qeveri europiane refuzonin të njihnin rizgjedhjen e tij, të cilën e cilësonin të manipuluar.


starnews.al

Reklama
Back to top button